Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë se ka frikë që masat e Kosovës ndaj BE-së nuk do të hiqen.
Krasniqi tha se arsyeja për mos largimin e masave është ngase ekzekutivi nuk po mundet me u dakordua me aleatët ndërkombëtar.
“Në vend që t`a festojmë në qershor pra anëtarësimin e Evropës ne festojmë 1-vjetorin e masave nga Bashkimi Evropian. Unë shpresoj në atë që tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mirëpo unë kam një mendim tjetër për arsye se duke ditur se çfarë ka ndodhur në pjesën veriore me dinarin dhe me Urën e Ibrit, unë e kam një frikë se nuk do të hiqen masat për arsye, sepse këta ende nuk po munden me u dakordua me aleatët tanë ndërkombëtar”, deklaroi Krasniqi.
Derisa ajo përmendi dinarin, theksoi se kjo çështje është dashur të diskutohet brenda Institucioneve të Kosovës, dhe jo të diskutohet në Bruksel.
“Dinari është deshtë të diskutohet brenda Institucioneve të Kosovës, jo të shkohet të diskutohet në Bruksel dhe të mos ketë homologun e vet guvernatori I Bankës Qendrore të Kosovës, por të ketë një njeri të thjeshtë nga Serbia, e kjo është shqetësuese për vendin sepse ku ka ardhur dialogu”, tha Krasniqi.
Ndryshe, ajo tha se deri më tani Kosova i ka plotësuar kriteret për BE, por siç e ceku ajo nuk janë konsoliduar proceset.
“Mendoj që këta nuk janë duke u dakordua me aleatët ndërkombëtarë, masat do të vazhdojnë sepse në Bashkimin Evropian ka pasur zgjedhje dhe ende nuk janë konsoliduar të gjitha proceset. Deri më tani nuk kemi pasur një plus, ne i kemi plotësuar kriteret se çfarë ka kërkuar Bashkimi Evropian, pas kësaj kemi marrë vendim për dinarin dhe ne prapë jemi kthyer mbrapa. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës, nuk jemi pajtuar me asociacionin sepse është me kompetenca ekzekutive dhe është një Serbi brenda shtetit të Kosovës”, shtoi Krasniqi.