Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, tha se për një periudhë të shkurtër kanë ndodhur tri vrasje dhe për këtë kanë zbatuar urdhrin ‘Goditja’.
“Sonte policia është në realizim të planit ”Goditja”. Aksioni kishte për qëllim shtimin e aktiviteteve dhe patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri e bare nate”, tha ai për magazinën informative “Lajmet e Fundit” në RTK.
Ai bëri të ditur se gjatë dy ditëve të zbatimit të urdhrit operativ ‘Goditja’ janë angazhuar 823 patrulla policore dhe janë arrestuar 14 persona të kërkuar.
“Me 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë regjistruar këto të dhëna: Janë angazhuar 823 patrulla policore, janë vendosur e realizuar 871 pika për kontrollin e automjeteve, janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkootest, janë kontrolluar 4848 vetura, janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 19 armë të ndryshme, janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera ”, tha ai.
Sipas tij, Policia do të vazhdojë aktivitetet në realizim të detyrave që dalin nga urdhri që është në zbatim e sipër.