Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar kryeministrin Albin Kurti si një lider të paaftë dhe populist, duke shtuar se populizmi është streha e fundit e kryeministrave të tillë.
“Po e adaptoj një thënie të famshme që e keni dëgjuar besoj të gjithë, po unë po i them populizmi është streha e fundit e kryeministrave të paaftë. Ne e kemi një kryeministër totalisht të paaftë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës në cilëndo prej fushave. Fatkeqësia jonë është që s’po arrijmë ta kemi vëmendjen as të qytetarëve të cilët janë të preokupuar me krizën, me tensionin dhe situatën e sigurisë që të flasim për temat që ju interesojnë atyre”, ka thënë Krasniqi në Tëvë, transmeton Klankosova.tv
Sipas Krasniqit, Kurti krijon kriza dhe pastaj tërhiqet dhe i mbulon ato duke mos lënë hapësirë të flitet për to.
“Ne s’arrijmë të flasim sepse ajo streha që i thoni ju, ne i themi batanije, qebe e kryeministrit tonë është Serbia, dialogu, është krijimi konstant i krizave dhe pastaj e tërheq qeben, i mbulon të gjitha problemet dhe ne nuk mund të flasim për to. Njerëzit janë të shqetësuar. Ai prej vitit të kaluar ka folur për luftë edhe në media ndërkombëtare”, ka shtuar Krasniqi.