Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ka pritur në takim Amy English, kryekëshilltare për politikë të jashtme e senatores amerikane Jeanne Shaheen.
Ai ka thënë se me English, ka ndarë shqetësimin për drejtimin në të cilin është duke shkuar Kosova, sidomos në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Krasniqit, në këtë takim, e ka njoftuar të njëjtën se PDK-ja e ka marrë me shumë seriozitet letrën e tetë senatorëve amerikanë, dërguar presidentit Biden, ku kanë shprehur shqetësim të madh për përkeqësimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës dhe zhgënjimin e tyre për mungesën e angazhimit nga institucionet e Kosovës në përpjekjet diplomatike për të depërshkallëzuar krizën.
”PDK, si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, do të angazhohet fuqishëm në ruajtjen e raporteve të afërta dhe aleancës së shenjtë me SHBA-të”, ka shkruar Krasniqi.