Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi thotë se ende s’ka kërkesë për peticion për largimin e kryetarëve veriorë, tregon hapat që duhet ndjekur

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka ritheksuar se nisma e qytetarëve në Komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve të këtyre komunave nuk është drejtuar zyrtarisht tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal.

Sipas Krasniqit, kjo nismë kërkon njohuri praktike, derisa theksoi se për këtë çështje po ndërmerren të gjitha masat praktike që qytetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre, që sipas tij, burojnë nga Ligji për zgjedhjet lokale dhe Udhëzimi Administrativ përkatës.

Krasniqi me këtë rast ka renditur disa çështje kryesore lidhur me këtë proces.

“Meqënëse kjo është një nismë që kërkon disa njohuri praktike gjejmë rastin të rendisim edhe njëherë disa çështje kryesore lidhur me këtë proces;

Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë.
Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar.
Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje.
Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në.
Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë.
Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.
Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve”, shkroi Krasniqi.
Tutje ministri theksoi se deri në këto momente nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga Kryesuesit e kuvendeve komunale dhe rrjedhimisht asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në.

“Ne jemi të gatshëm që sapo ky proces të nisë zyrtarisht të plotësojmë menjëherë detyrat tona. MAPL do të njoftojë publikisht për vijimësinë e këtij procesi”, shkroi tutje Krasniqi.

Ndryshe, KQZ konfirmoi se pas shqyrtimit të shkresave janë njoftuar dhe udhëzuar serbët që sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoritetet përkatëse, respektivisht tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse.