Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se sot u ka dërguar nga një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në këtë letër, Krasniqi ka ritheksuar qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës për “nevojën” e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.
“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkretë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kosova dhe qytetarët kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euroatlantik.
“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar. Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Krasniqi.