Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi viziton ish-pjesëtarët e UÇK-së në Hagë

 
   

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar në Hagë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në një ditë simbolike që shënon 30-vjetorin e themelimit zyrtar të UÇK-së.

“Fati e deshi që pikërisht sot, në këtë përvjetor historik, të jem pranë dy simboleve të ndritura të luftës sonë për liri dhe pavarësi. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, përkrah shumë patriotëve të tjerë, kanë sakrifikuar gjithçka për të bërë të mundur që Kosova të marrë frymë lirie,” ka theksuar Krasniqi.

Në mesazhin e tij, kryetari i PDK-së vlerësoi qëndrueshmërinë dhe dinjitetin e Thaçit dhe Veselit, duke i cilësuar ata si mbrojtës të vlerave të luftës së popullit të Kosovës për çlirim.

Ai shtoi se forca e tyre frymëzon qytetarët dhe liderët e Kosovës që të vijojnë punën për një shtet më të zhvilluar dhe më të fortë.

Krasniqi shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e Kosovës dhe nënvizoi mbështetjen për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë ata që sot përballen me sfida të mëdha.

“Dielli do të lind përsëri,” përfundoi ai, duke theksuar besimin në drejtësinë dhe të ardhmen e ndritur të Kosovës.