Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kreu i ATK-së: Edhe një postim në rrjetet sociale mund të ju sjellë inspektorët e ATK-së në shtëpi

 
   

Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj është përballur me përfaqësues të bizneseve dhe profesionist të fushës.

Përveç ndërtuesve dhe gastronomeve ATK si projekt vitin që shkoi por edhe këtë vit ka në plan të trajtoj edhe estradën dhe njerëzit e pasur, të cilët nuk do të mund ta justifikojnë pasurinë e tyre.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se edhe një postim në rrjetet sociale si facebook apo instagram mund të bëhet objekt i nisjes së hetimeve.

Ai ka konfirmuar se duke përdorur edhe këtë metodë kanë arritur që nga viti në vit të rrisin të hyrat nga tatimet e këngëtareve.

“Në vitet e fundit kemi pasur një monitorim të këngëtarëve për shkak të informatave që kemi marr për informalitet në këtë fushë. Fillimisht përmes thirrjeve publike kemi ftuar këngëtarët që të deklarojnë të hyrat e tyre në mënyrë vullnetare dhe të paguajnë tatimet. Ka pasur një reflektim sepse në 2022 kemi pasur një rritje 100% të hyrave tek kjo kategori. Në vitin 2023 kemi pasur poashtu rritje të tatimeve të paguara nga 1.7 në 2.8 milion. Përkundër kësaj informatat tona kanë treguar se një pjesë e estradës nuk kanë raportuar drejtë të hyrat që kanë pasur andaj inspektorët tanë kanë shfrytëzuar burime të ndryshme të informatave ndër to edhe postimet në rrjetet sociale dhe kanë ardhur në përfundim për punën atyre. Ata duhet të raportojnë të hyrat e tyre përndryshe do të jenë subjekt i hetimit, nga hetimet e vitit 2023 kemi arritur që nga kjo kategori buxhetit të shtetit të ia shtojmë 1 milion euro”, ka thënë Murtezaj.

Sipas kreut të ATK-së njerëz të pasur që mund të bien nën llupën e ATK-së për hetim janë të gjithë qytetarët e vendit dhe jo vetëm zyrtarët të cilat paraqesin një jetë superluksoze dhe ku nuk mund t’i arsyetojnë të hyrat e tyre me të cilat kanë blerë vetura e shtëpia të shtrenjta.

“Kjo nuk ka të bëjë me atë që ne do të bëjmë presion tek kjo kategori e njerëzve në vendin tonë. Ne shohim biznese që janë rritur, kanë paguar tatimet për fitimet që kanë realizu dhe normalisht që pronarët e tyre janë të pasur. Kjo kategoria e njerzëve të pasur nuk ka të bëjë vetëm me zyrtarët publik por me të gjithë qytetarët dhe aty ku identifikohet që ka një pasuri që nuk mund të justifikohet me fitimet e raportuara atëherë mund të nisen hetimet. Indiciet mund të jetë edhe një postim në rrjete sociale”, ka shtuar i pari i ATK-së.

Murtezaj ka pohuar se edhe pse një postim në rrjete secila mund të jetë indicie për të filluar një hetim prapë se prapë duhet grumbulluar shumë informata pasi që shpesh herë njerëzit janë të pirur që të postojnë jetë luksoze në rrjete sociale e që në realitet është krejt diçka tjetër.