Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kritikat për “opozitarizëm të butë”, Krasniqi: Nuk jemi opozitë e llojit të Vetëvendosjes, s’vijmë në pushtet me dhunë

Aktualisht, partitë opozitare po kritikohen për “opozitarizëm të butë”. Por, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se partia e tij nuk është opozitë e atij lloji që vije në pushtet me dhunë, e që sipas tij, ashtu ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Krasniqi tha se nga opozitarizmi i atëhershëm i Vetëvendosjes janë duke u parë ende dëmet në Kosovë.

“Ka një pritje në ndërdijen e qytetarëve të Kosovës, që opozitarizmi duhet të bëhet siç ka qenë opozitarizmi i Vetëvendosjes. Unë që nga dita që e kam marrë përgjegjësinë ta udhëheq PDK-në, e kam bërë të qartë që ne nuk jemi opozitë e atij lloji, nuk mund të bëhemi ne si parti shtet formuese, një opozitë e cila luftën për pushtet i jep më shumë prioritet interesit të vet, sesa interesave të shtetit.

Kushdo që thërret për demonstrata të dhunshme, nuk është në qëllimet tona me hedh gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit. Ky ka qenë opozitarizëm jo demokratik e skajshmërisht i dhunshëm, por dëmet e atij opozitarizmi ne vazhdojmë edhe sot e kësaj dite t’i shohim. E sidomos tash që të njëjtit opozitarë i kemi në pushtet, që kanë qenë të gatshëm vetëm për opozitën, e në asnjë mënyrë për qeverisje”, deklaroi Krasniqi.

Mirëpo, Krasniqi ende më shqetësuese se kjo, e sheh prishjen e raporteve mes ShBA-së dhe Kosovës, e për të cilën tha se nuk mund ta mbështesin Kurtin në këtë “aventurë”.