Zyrtarë të Policisë së Kosovës përveç punës që janë të thirrur ruajte të rendit dhe sigurisë, me raste ftohen të marrin pjesë edhe në projekte kulturore, filmike. Por pjesëmarrja në këto angazhime për të njëjtit nuk është fitimprurëse.
Pamje ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës ose edhe mjete zyrtare të këtij institucionit përdoren jashtë funksionit të tyre, ka me bollëk.
Ata janë pjesë e video klipeve muzikore, filmave e serialeve të ndryshme.
Por, për angazhimin në xhirimet e këtyre projekteve që në disa raste zgjasin edhe me ditë, policët nuk paguhen shtesë, sikur zakonisht kur janë të përfshirë në punë sekondare të kontraktuara nga Policia.
Këtë veprim, ish-udhëheqësi i Inspektoratit Policor, Valdet Hoxha, e quan keqpërdorim të Policisë, pasi thotë se do pjesëmarrësit në këto projekte do të duhej të përfitonin financiarisht.
“Nuk guxon në asnjë mënyrë që organizata më e madhe të kryej shërbime në sferën e kulturës apo filmike të organizatave tjera të cilat inkasojnë fitime financiare nga ai projekt”, ka thënë ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha për TV Dukagjinin.
Sipas Hoxhës do të duhej të krijohej një rregullore e veçantë për raste të tilla.
“Do të duhej të kishte një aprovim në aspektin etik se a është në rregull pjesëmarrja e uniformës në projekte të caktuara dhe nëse gjithçka është në rregull me kodin etik, atëherë do të duhej me rregullore të veçantë të caktohej aspekti financiar i angazhimit të policëve në këto projekte filmike”, është shprehur ai.
Televizioni ka pyetur Policinë e Kosovës për këtë çështje, por gjatë ditës ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.