
Valon Murtezaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar me një postim të fuqishëm në rrjetet sociale, lidhur me situatën kritike në të cilën ndodhet partia pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurit.
Murtezaj shprehu shqetësimin për dallimet e brendshme që kanë prekur partinë dhe theksoi se periudha e ardhshme kërkon angazhim kolektiv dhe vendime të mençura për të siguruar një të ardhme më të fortë për LDK-në.
Ai apeloi për unitet dhe për një angazhim të përbashkët për të rikthyer besimin dhe integritetin e dëmtuar.
Murtezaj theksoi se asnjë individ ose grup brenda LDK-së nuk mund të ecë vetëm, dhe se përballimi i sfidave të kohës mund të bëhet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit dhe përgjegjshmërisë ndaj vlerave themelore të lirisë dhe demokracisë.
“Dallimet e brendshme që kemi përjetuar kohët e fundit na kanë vendosur në një pozicion që kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe veprime serioze. Le të jemi të qartë: Periudhën e ardhshme askush (asnjë individ dhe asnjë grup) nuk mund ta ec vetëm. Sfidat e kohës mund të përballohen vetëm të bashkuar në përgjegjësinë tonë, për vlerat e lirisë dhe demokracisë që na lidhin, për njëri-tjetrin, për misionin tonë, që është Kosova”, u shpreh mes tjerash Murtezaj.
Ish zëvendësministri i Jashtëm, theksoi se vetë-reflektimi dhe përpjekja për një kurs të ri udhëheqës janë të nevojshme për të krijuar një LDK më demokratike dhe më të fortë, dhe për të garantuar që vlerat etike dhe legjislative të mbeten në themel të çdo vendimi.
Postimi i plotë:
Lidhja Demokratike e Kosovës
Ne po qëndrojmë në një moment kritik në jetën e organizatës tonë politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, që e quajmë familja jonë politike.
Dallimet e brendshme që kemi përjetuar kohët e fundit na kanë vendosur në një pozicion që kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe veprime serioze. Le të jemi të qartë: Periudhën e ardhshme askush (asnjë individ dhe asnjë grup) nuk mund ta ec vetëm. Sfidat e kohës mund të përballohen vetëm të bashkuar në përgjegjësinë tonë, për vlerat e lirisë dhe demokracisë që na lidhin, për njëri-tjetrin, për misionin tonë, që është Kosova.
Situata që po përballemi ka nevojë fillimisht për njohje urgjente të saj. Të sjellurit dhe të vepruarit në disonancë kognitive, përveç që është absurd është edhe e dëmshme. Veprimet tona, ose, në disa raste, mosveprimet tona, na kanë sjellë këtu. Vendimet që marrim tani do të formësojnë të ardhmen tonë. Kjo nënkupton, marrëdhëniet tona, besimin dhe reputacionin tonë, dhe ekzistencën tonë si Lidhje Demokratike e Kosovës.
Si mbrojtës, promovues dhe zbatues të vendim-marrjes demokratike, ne duhet të veprojmë dhe me qëllim të qartë. Poashtu duhet të kujtojmë se urgjenca nuk do të thotë pakujdes dhe pandjeshmëri. Në këtë moment kritik, duhet të mbetemi besnikë në parimet etike dhe vlerat që gjithmonë na kanë udhëhequr. Mendimi lirë pa sanksione pasuese përjashtuese është bazë e lirisë dhe demokracisë.
Këto vlera janë vlera të krijuara dhe kultivuara me madhështi dhe humanizëm, nga Prijësi ynë historik Presidenti Ibrahim Rugova. Falë mishërimit të këtyre vlerave Kosova sot është e lirë, e pavarur, demokratike, në rrugën e saj për integrim evropian, dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara. Për këto vlera shumë dëshmorë kanë rënë në altarin e lirisë dhe demokracisë. Për këto vlera qindra mijëra aktivistë të devotshëm kanë kontribuar tërë jetën dhe me gjithë qenien e tyre.
Se e flas t ‘vërteten e kam çiltërisht, këndon poeti Ibrahim Rugova në një poezi të tij.
Përballja me gabimet dhe pranimi i përgjegjësisë është lidership. Asnjë prej nesh nuk është pa gabime. Qoftë përmes keqkomunikimit, vendimeve të gabuara, apo përgjegjësive të neglizhuara, prandaj dhe duhet të marrim përgjegjësinë për veprimet tona. Njohja e gabimeve tona nuk është një shenjë dobësie, por është hapi i parë drejt rindërtimit të një LDK-je më të lirë, më demokratike, dhe më të fortë. Është përmes reflektimit të sinqertë dhe përgjegjësisë të shërojmë plagët që janë shkaktuar.
Megjithatë, njohja e gabimeve tona nuk është e mjaftueshme. Duhet të mësojmë nga ato. Duhet të ndërtojmë një kurs të ri të sjelljes udhëheqëse, që mbështetet në vlerat e lirisë, integritetit dhe transparencës, vlera që duhet të jenë themeli i çdo gjëje që bëjmë.
Kjo bën të mundur të vendosim themelin për një të ardhme të rrënjosur në liri, demokraci dhe drejtësi të bazuar në rregulla statutare dhe sjellje etike. Një të ardhme në themele të vlerave të vlerësimit dhe solidaritetit, dhe jo të përjashtimit e favorizimit; në themele të profesionalizmit dhe meritokracisë, dhe jo të nepotizmit e të besnikërisë së fabrikuar. Praktikat e eliminimit politik duhet të marrin fund. Ne kemi obligim të luftojmë mentalitetin korruptiv, dhe të ndërtojmë e kultivojmë sjelljen dhe metodën demokratike, etike e ligjore në çdo hap që bëjmë dhe çdo vendim që marrim.
I detyrohemi mijëra aktivisteve dhe aktivistëve të devotshëm, i detyrohemi popullit të Kosovës, i detyrohemi atdheut tonë, Kosovës, që të sigurojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është vetëm një parti politike, por është udhëheqëse e vlerave demokratike dhe drejtësisë. Prandaj, këto vlera duhet të na udhëheqin në çdo vendim që marrim, veçanërisht në kohë të vështira.
Sfidat që përballemi janë kolektive dhe kërkojnë një përgjigje kolektive. Duhet të bashkohemi, jo si grupe të ndara, por si një ekip i bashkuar, me një qëllim të përbashkët: të rivendosim besimin dhe integritetin që janë dëmtuar.
Bashkimi i vërtetë nuk është të injorosh të vërtetat e vështira ose të fshehësh problemet. Unitet nuk është te vazhdohet me arrogancë dhe injorim të fakteve dhe realitetit. Lidershipi nuk është veç emotikon. Lidership është të ndërtosh bashkim të vërtetë dhe konstruktiv, është të qëndrosh së bashku me guximin për të pasur biseda të sinqerta, për të dëgjuar pa gjykim dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në gjetjen e rrugës më të mirë përpara. Sot për sot, duket që ka rezistencë ndaj kësaj qasje, por kjo duhet të hiqet menjëherë. Një organizatë e fortë nuk është ajo që shmang sfidat; është ajo që përballet, ballë për ballë, dhe sy me sy, duke përqafuar liritë që vijnë me përgjegjësinë, duke ditur se çdo sfidë është një mundësi.
Le të njohim gjithashtu se beteja jonë nuk është vetëm kundër pikëpamjeve të ndryshme që sjellin mospajtime apo konflikte të brendshme por gjithashtu duhet të jetë kundër sjelljes oligarkike që kërkon të centralizojë pushtetin në pak duar. Ne jemi të lidhur së bashku jo vetëm nga misioni ynë, por nga besimi i përbashkët në parimet thelbësore të demokracisë dhe barazisë. Për një LDK të drejtë dhe të ndershme, ku pushteti nuk është i përqëndruar dhe autokratik, por është i shpërndarë dhe demokratik, ku qëllimet arrihen me mjete, metoda dhe sjellje etike dhe demokratike, dhe jo e kundërta, ku qëllimi arsyeton përdorimin e secilit mjet dhe secilës sjellje; kjo është një betejë në të cilën duhet të angazhohemi të gjithë.
Po, jemi në një moment delikat dhe të vështirë, por jemi gjithashtu në një moment mundësie të madhe. Vendimet dhe zgjedhjet që bëjmë tani do të përcaktojnë nëse do të dalim nga kjo më të fortë apo më të dobët. Le të zgjedhim të bashkohemi. Jo vetëm për të forcuar dhe rindërtuar strukturat dhe sistemet e LDK-së, por për të rivendosur besimin, lirinë dhe respektin, që janë lënduar dhe ndoshta humbur. Le të zgjedhim të marrim veprime të përgjegjshme, veprime që udhëhiqen nga etika dhe morali ynë, dhe që janë të drejtuara nga dëshira dhe vullneti i lirë për të bërë atë që është e drejtë, dhe jo thjesht atë që është për profiterizmin e ngushtë dhe vetjak apo klanor.
Monteskje, mendimtari e filozofi i njohur francez dhe botëror, thotë: për t’u bërë më të vërtetë madhështor, njeriu duhet të qëndroj me njerëzit, dhe jo mbi njerëzit. Ky mësim është qendror për lidership.
Përballja me vendime mund të jetë e vështirë. Por le të kujtojmë: NE duhet ta kultivojmë kopshtin tonë Rugovian, dhe në këtë synim jemi më të fortë së bashku. Vlerat tona të lirisë dhe demokracisë duhet të na udhëheqin nëpër këtë proces. Le të rindërtojmë, jo duke injoruar gabimet tona, por duke mësuar prej tyre, duke riafirmuar parimet që gjithmonë na kanë bërë ata që jemi, dhe duke luftuar kundër çdo force që do të na heqë idealet tona për liri dhe demokraci.
Tani është koha për të riafirmuar angazhimin tonë për bashkëpunim. Forca jonë kolektive është shumë më e madhe se çdo pengesë që përballemi.
Secila dhe secili kontributor që nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e deri sot, që ka vullnet të kontribuojë, duhet të jetë pjesë thelbësore e këtij udhëtimi. Nuk do të jetë e lehtë, por së bashku, me lidership të vërtetë mund të kalohet. Kjo mund të bëhet me qëndrueshmëri, integritet dhe angazhim të përbashkët për vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Kam besim në atë që mund ta arrijmë, së bashku.