Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, përfshirë dy zyrtarëve të LVV-së, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi për deklaratat e tyre në lidhje me rastin e Dejan Pantiqit.
Manxhuka dhe Azemi akuzohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.
Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.
Ish-polici serb, Dejan Pantiq, u arrestuar me 10 dhjetor të vitit 2022 në veri nga Policia e Kosovës.
Sipas Gjykatës, ekzistonte dyshimi se Pantiq ka kryer veprën penale kryerja e veprës terroriste.
Dyshimet ishin se Pantiqi ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Pas arrestimit të tij, serbët në veri bllokuan rrugët, duke krijuar barrikada dhe gjuajtur shok bomba ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Çështja e Pantiqit u bë temë në Kosovë derisa protestat e serbëve vijuan me javë të tëra. KFOR-i kishte refuzuar transferimin e tij nga Jarinja në Prishtinë.
Pak orë para ndërrimit të viteve (28 dhjetor 2022), Dejan Pantiqit i ishte zëvendësuar masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit në arrest shtëpiak.
Ky ndryshim i masës solli reagime të shumta në Kosovë, përfshirë edhe krerët më të lartë të shtetit.
Kryeministri kishte deklaruar se është kureshtar të di se kush është prokurori që ka bërë kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit, dhe cili gjyqtar e ka aprovuar.
“Kur ke akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon”, kishte shtuar Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte thënë se Kërkesa dhe vendimi për zëvendësimin e masës ndaj Dejan Pantiq, është akti më i rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues.
Derisa zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka e kishte konsideruar akt tradhtie ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiqit.
“Ky aktlirim është akttradhëti”, kishte shkruar Manxhuka në Facebook.
Pas këtyre deklaratave kishte reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore”, kishte deklaruar KGJK.
Prokuroria Speciale e Kosovës nga ana tjetër kishte thënë se Pantiq u lirua për arsye humanitare pasi sëmundjen e tij e kishin konfirmuar ekipet e EULEX-it.
Pantiqit masa e arrestit shtëpiak i ishte vazhduar edhe disa muaj, kur ky I fundit u lirua nga arresti shtëpiak me dorëzani 30 mijë euro.
Derisa edhe kjo masë solli reagime të shumta.