Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministri Kurti: Çlirimi erdhi falë angazhimit të Afrim Morinës dhe gjeneratës së tij

 
   

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të aktivistit dhe të burgosurit politik, dhe veprimtarit, Afrim Morina, i cili vdiq dje, në prag të ditëlindjes së tij të 73-të.

Kurti theksoi se çlirimi i Kosovës nga Serbia erdhi falë angazhimit të Morinës dhe gjeneratës së tij.

“Sivjet më 12 qershor, do të mbushen fiks 25 vjet nga çlirimi i vendit tonë nga Serbia okupatore,  pushtuese. E kjo ditë, erdhi para 25 vitesh edhe falë angazhimit të njerëzve sikur Afrimi dhe të gjeneratës së cilës i takon ai. Qysh si 17 vjeçar, Afrim Morina ishte ndër organizatorët e nxënësve të gjimnazit dhe të normales së Suharekës, në demonstratat e vitit 1968. Gjatë rinisë së hershme, ai bashkëthemeloi disa grupe letrare, e që për kohën të tillat nuk ishin vetëm artistike por edhe patriotike e politike”, u shpreh kryeministri Kurti. 

Ai kujtoi se Afrim Morina, u dënua dhe u burgos nga regjimi i Beogradit katër herë, vetëm për shkak të aktivitetit  të tij politik, nga organizatat ilegale e te subjekti politik, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, si zëvendëskryetar i saj, në kohën kur kryetar i saj  ishte profesor Ukshin Hoti. 

Kurti gjithashtu nderoi edhe veprën intelektuale të shkruar të Afrimit. Në vitin 2015 ai kishte botuar të plotë veprën e tij me titullin përmbledhës “Arka e kujtimeve”, e që përfshin gjithsej 18 vepra me poezi, drama, romane, publicistikë, filozofi politike dhe kujtime.

Pas mbledhjes komemorative, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë e bashkëpunëtorë, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit, Afrim Morina, në fshatin Reshtan të Suharekës.