Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar në lidhjet me ushtrimet ushtarake të Serbisë, që do të zhvillohen sot në Peshter të Sanxhakut.
Ai tha se Serbia është faktori kryesor i përpjekeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe se këto ushtrime janë dëshmi e kësaj.
Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe 3 kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se si të tilla janë destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përveç tjerash, duke ironizuar Kurti tha se këto ushtrime paraqesin gjithashtu edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.
Kurti këtë deklarim e bëri gjatë nisjes së punimeve në rrugën Kjevë – Dollc.
Kurti: Mund të themi se këto ushtrime paraqesin edhe ndotjen më të madhe të ajrit e të tokës në Sanxhak
“30 kilometra larg kufirit të Kosovës, në Peshter të Sanxhakut, është duke u zhvilluar dita, mbase kryesore, e ushtrimit të tyre ushtarak të quajtur “Vihor 2024”. Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikaz dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e ZI. Kjo është edhe një dëshmi se Serbia është autoriteti, instanca e faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim për republikën tonë të cilën ata nuk e njohin. Meqenëse jemi këtu me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Insfrastrukturës, mund të themi se këto ushtrime paraqesin edhe ndotjen më të madhe të ajrit e të tokës në Sanxhak”, tha Kurti.