Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministri Kurti mirëpriti për bashkëbisedim studentë të shkencave politike të Universitetit të Strasburgut

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një bashkëbisedim me një grup prej 20 studentësh, shumica e të cilëve me kombësi franceze, të cilët ndjekin studimet master në Strasburg të Francës, në fushat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të çështjeve europiane. Me këtë takim ky grup e përmbylli një vizitë studimore rajonale disa ditore e cila kaloi nga Sarajeva, Srebenica dhe Beogradi. 

Gjatë këtij bashkëbisedimi u prekën temat e sigurisë rajonale, atyre të ecjes së dialogut por gjithashtu të përparimeve në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjatë pjesës kryesore të përkushtuar pyetjeve të studentëve, bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në arritjet e Qeverisë, dhe në veçanti në qeverisjen e mirë dhe demokratike, progresin e shënuar në fushat investuese, ekonomike dhe sociale në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës e pa dallim.

Kryeministri Kurti pati rastin t’u parashtrojë studentëve edhe reformat në vazhdim e sipër të këtij mandati qeverisës si dhe pritshmërinë për arritjet dhe rezultatet e pritura në të ardhmen. 

Ndërsa Kryeministri Kurti vlerësoi lart dobinë e këtyre shkëmbimeve me studentët për të bërë më të njohur dhe më të prekshëm realitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, studentët dhe profesori i tyre shprehën mirënjohjen për gatishmërinë e kryeministrit për t’i pritur ata në një bisedë të drejtëpërdrejtë, të hapur dhe të sinqertë.

 Image
 Pamje nga takimi