Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë e varrimit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mejdi Asllani, i njohur si “Plaku i Maleve”.
Para familjarëve të tashmë të ndjerit Mejdi Asllanit, shokëve, miqve, bashkëluftëtarëve e shumë të tjerë që ishin të pranishëm në nderim të jetës dhe veprës së tij, Kryeministri kujtoi atdhetarizmin dhe rezistencën e kësaj familjeje më 7 mars të vitit 1999.
“7 marsi i vitit 1999 ka mbetur i shkruar me shkronja të arta në historinë më të re të Kosovës sepse ishte ajo ditë, shënimin e 25-vjetorit të së cilës do ta kemi së shpejti kur Mejdi Asllani u rrethua nga forcat policore të Serbisë të cilët përderisa anëtarët e familjes së tij ishin të fjetur, hynë brenda dhe i morën peng. Ai ishte me djalin e vetë Asllanin aty teksa tytat e automatikëve ishin të drejtuar ndaj të gjithë anëtarëve të familjes dhe një familje e tërë e marrë peng, brenda pak kohë e mori peng pikërisht pengmarrësi”, kujtoi ai, duke thënë se edhe me ato pak armë që kishin në shtëpinë e tyre, ata i zmbrapsën forcat armike policore.
Rastet sikurse ballafaqimi i drejtpërdrejtë në kushte të pamundura i Mejdi Asllanit me familje, janë dëshmi se sa e pabarabartë ishte ajo luftë nga e cila ne dolëm fitimtarë, veçoi kryeministri.
“Edhe gjërat të cilat duken të pamundura njerëz me patriotizëm dhe vullnet, me guxim e trimëri sikurse Mejdi Asllani i bëjnë të mundura. Atë çfarë dikush se imagjinon dot njerëz si Mejdi Asllani e bëjnë realitet”, shtoi ai.
E fjalën e tij ai e përmbylli duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për “Plakun e Maleve”, për plakun e Emshirit, për Mejdi Asllanin, për jetën e tij dhe për veprat që ai na i dhuroi.
Më 7 mars të vitit 1999, familja e Mejdi Asllanit u sulmua nga katër policë të Serbisë, të cilët e morën peng gjithë familjen Asllani, duke ua mbajtur tytat e automatikëve në kokë dhe në gjoks brenda shtëpisë së tyre, në lagjen Emshir të Prishtinës. Mejdiu ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të dy djemtë e tij Asllanin dhe Bekimin. Në një ngjarje pabesueshmërisht dramatike, Mejdi Asllani bashkë me djalin e tij Asllanin, arritën ta përmbysin situatën falë bombave të dorës dhe një automatiku që e kishin në shtëpi. Atë ditë ata dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të rezistencës.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
E nderuara familje e Mejdi Asllanit, plakut të maleve, plakut të Emshirit,
Të nderuar bashkëluftëtarë të plakut luftëtarë të UCK-së, pjesëtarë, ushtarë e oficerë të FSK-së, kolegë nga Qeveria e nga Kuvendi i Republikës.
Të gjithë ju që e keni njohur, shokë, miq e dashamirë të Mejdi Asllanit, jemi mbledhur bashkë këtu për t’ia dhënë atij lamtumirën e fundit duke kujtuar e përkujtuar një jetë me përplot vepra atdhetare të cilët kontribuuan që Kosova të jetë e lirë dhe ta gëzojë progresin që e ka.
7 marsi i vitit 1999 ka mbetur i shkruar me shkronja të arta në historinë më të re të Kosovës sepse ishte ajo ditë, shënimin e 25-vjetorit të së cilës do ta kemi së shpejti kur Mejdi Asllani u rrethua nga forcat policore të Serbisë të cilët përderisa anëtarët e familjes së tij ishin të fjetur, hynë brenda dhe i morën peng. Ai ishte me djalin e vetë Asllanin aty teksa tytat e automatikëve ishin të drejtuar ndaj të gjithë anëtarëve të familjes dhe një familje e tërë e marrë peng, brenda pak kohë e mori peng pikërisht pengmarrësi.
Dhe me ato pak armë që kishin në shtëpinë e tyre, ata i zmbrapsën forcat armike policore, të cilat të frikësuara qysh tash plaku Mejdi Asllani i mori peng ata policë, në panik e sipër nuk dinin a të shtinin a të iknin dhe rezultati ishte tre policë të vrarë ndërkaq e gjithë familja e Mejdi Asllanit arrin që të strehohet në Zllash ku ishin forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe muajt e javët e fundit të përpjekjes tonë të gjatë për çlirim t’i kalojnë bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës deri atëherë kur bëhet çlirimi i Kosovës e familja Asllani kthehet në shtëpinë e vet.
Rastet sikurse ballafaqimi i drejtpërdrejtë në kushte të pamundura i Mejdi Asllanit me familje, janë dëshmi se sa e pabarabartë ishte ajo luftë nga e cila ne dolëm fitimtarë. Edhe gjërat të cilat duken të pamundura njerëz me patriotizëm dhe vullnet, me guxim e trimëri sikurse Mejdi Asllani i bëjnë të mundura. Atë çfarë dikush se imagjinon dot njerëz si Mejdi Asllani e bëjnë realitet.
Andaj, më lejoni që në emër të të gjithë juve të shprehë mirënjohjen dhe falënderimin tim të thellë për “Plakun e Maleve”, për plakun e Emshirit, për Mejdi Asllanin, për jetën e tij dhe për veprat që ai na i dhuroi.
Lavdi, e i qoftë i lehtë dheu i Kosovës!