Gjatë pasdites së vonshme të ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm si mysafir i nderit në diskutimin e organizuar nga organizata nga Mbretëria e Bashkuar, Plan për Paqe (Plan for Peace) dhe qendra Barabar me titull “Kapërcimi i ndarjes: një bisedë e guximshme”.
Para të pranishmëve, folësve dhe mysafirëve të pranishëm, në mesin e të cilëve ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, Kryeministri Kurti foli shkurtimisht mbi rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.
Ai tha se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të suksesshme, duke qenë proces i shërimit dhe mekanizëm i shëndetshëm për përparim shoqëror dhe njerëzor. Ajo është e drejtë individuale e viktimës dhe familjes dhe e drejtë kolektive, por obligim i shtetit dhe qeverisë që të sigurojë që kjo e drejtë të mundësohet dhe realizohet.
Kjo do të thotë që institucionet kanë obligim të dokumentojnë krimet përmes instituteve e muzeve të cilat shërbejnë si instrumente të kujtesës kolektive për gjeneratat e ardhshme dhe që ndihmojnë në ngushëllimin e viktimave duke u siguruar atyre që dhimbjet e tyre nuk do të harrohen, shtoi kryeministri.
Në lidhje me përgjegjësitë e institucioneve, kryeministri Kurti nënvizoi se jemi në finalizim e sipër të Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, po themelojmë Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë lutës në Kosovë, teksa kemi rritur buxhetin e zyrës së Prokurorit Special në departamentin e krimeve të luftës në mënyrë që të rriten kapacitetet njerëzore dhe profesionale, dhe kemi plotësuar kornizën ligjore që mundëson gjykimin në mungesë për krime të luftës në përputhje me standarde ndërkombëtare si dhe kemi dyfishuar numrin e hetuesve të krimeve të luftës në Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës.
Dy çështje tjera që kryeministri Kurti i veçoi në fjalën e tij dhe për të cilat tha se janë në fokusin e Qeverisë, janë dhuna seksuale gjatë luftës dhe të zhdukurit me dhunë.
Ky organizim në fokus kishte bashkëbisedimin ndërmjet Jo Barry, që ka humbur babanë e saj nga një bombë e shpërthyer nga IRA në vitin 1984, dhe Pat Magee, personi përgjegjës për vdekjen e babasë së Jo Barry. Të dy ndanë tregimin dhe këndvështrimin e tyre mbi rolin që dialogu mund të luaj në shërimin dhe ballafaqimin me të kaluarën. Për tash e 20 vjet, Jo Barry dhe Pat Magee vazhdojnë të takohen dhe së bashku kanë folur në mbi 300 raste të ndryshme e në platforma të shumta për rreth botës.
Pamje nga takimi