Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëresha Kryeziu Hyseni dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit turk në Kosovë, Enis Kervan, priti sot në kryeministri një delegacion të deputetëve nga Turqia, të udhëhequr nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë, z. Fuat Oktay.
Teksa i shprehu mirëseardhje, kryeministri Kurti tha se vizitat e shpeshta janë shenjë e miqësisë mes dy vendeve tona dhe e marrëdhënieve të ngushta, ndërkaq e uroi z. Oktay për mbylljen me sukses të mandatit si Zëvendës President i Turqisë.
Njëkohësisht, kryeministri Kurti ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës ndaj Republikës së Turqisë për përkrahjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, derisa u bisedua edhe për bashkëpunimin e të dyja shteteve në fushën e mbrojtjes dhe asaj të sigurisë si dhe nevojën e sa më parë të anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe, drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë, z. Fuat Oktay teksa falënderoi kryeministrin për mikpritjen, tha se është ndjenjë e mirë që po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ai theksoi se Turqia përkrahë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike dhe nënvizoi se vizita e kryeministrit Kurti në Turqi në shkurt të këtij viti, ka intensifikuar marrëdhëniet ndërmjet dy shtetet. Më tej, teksa shprehu interesimin për investime të dyanshme, z. Oktay veçoi se Turqia është e pranishme me shumë kompani në Kosovë dhe në shumë sektorë. Ai gjithashtu ofroi bashkëpunimin për çështjen e arkivave, bashkëpunim të cilin e mirëpriti kryeministri Kurti.
Gjithashtu, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë, z. Fuat Oktay tha se Turqia dënon sulmin e tmerrshëm ndaj Kosovës më 24 shtator të këtij viti ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.
U diskutua edhe për bashkëpunimin ekonomik në rritje dhe për mundësitë e reja për të dy vendet nga ky bashkëpunim.