Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministri Kurti: Të përkushtuar për një shoqëri më të barabartë, të qëndrueshme, të begatë, për të gjithë qytetarët tanë

 
   

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga UNKT në shënim të zotimeve të Kosovës për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Jemi të lumtur që jemi mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar angazhimet e tyre ndaj Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm në platformën elektronike të OKB-së”, kështu u shpreh Kryeministri Kurti në fjalën hapëse të tij.

“Kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të krijuar një shoqëri më të barabartë, të qëndrueshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët tanë”, shtoi ai.

Më tej, theksoi se “Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2030, së bashku me planin tonë trevjeçar, përshkruan vizionin tonë për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030”.

“Javën e kaluar ne shpallëm angazhimin tonë për Transformimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, në frymën e “lënies së askujt prapa”. Udhërrëfyesi ynë i përshpejtuar fokusohet në uljen e varfërisë, kalimin në burime të rinovueshme, transformimin digjital dhe reformën në arsim”, tha mes tjerash ai.

Në përfundim, Kryeministri Kurti tha se “Së bashku, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të barabartë dhe më të qëndrueshme drejt Agjendës 2030. Punojmë së bashku për t’i bërë këto synime realitet dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që vijnë”.