Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar sot kompaninë “BBI Plast” në komunën e Vushtrrisë, me pronar Irfan Zekolli, kompani kjo e cila është edhe përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Pasi falënderoi për pritjen, kryeministri Kurti pa nga afër fushëveprimtarinë e kësaj kompanie e cila si aktivitet primar e ka prodhimin e produkteve të plastikës ndërsa aktivitet sekondar tregtinë me shumicë të makinerive bujqësore, pajisjeve dhe pjesëve furnizuese e po ashtu ka aktivitete të tjera të ndryshme të tregtisë.
“Sot erdhëm për të vizituar këtu një ndërmarrje e cila është gjithnjë e më e suksesshme për shkak të prodhimtarisë shtesë që po bën, ‘’BBI Plast’’, me ç’rast patëm rastin të takohemi me pronarin Irfan Zekolli dhe me punëtorë të tij’’, u shpreh kryeministri.
‘’BBI Plast’’ punëson 19 persona. Ajo është një ndërmarrje e vogël e cila synon që të bëhet ndërmarrje e mesme dhe e cila shquhet për prodhimin e shisheve të plastikës për materiale të ndryshme dhe të kapakëve gjithashtu.
Kryeministri Kurti e përgëzoi pronarin Zekolli për punën dhe angazhimin e pandalshëm të kësaj kompanie e cila ka filluar aktivitetin e saj që nga viti 2016 duke u bërë një biznes i suksesshëm në treg.
Kjo kompani e cila është subvencionuar me 30 mijë euro nga Qeveria është biznes i regjistruar dhe aktiv në platformën Superpuna, ku përmes platformës ka të angazhuar një punëtor.
Aktualisht, përmes Superpuna biznesi ka 3 pozita të hapura. 2 pozita janë për punëtorë në prodhim, ndërsa 1 pozitë si “Inxhinier i makinerive industriale të prodhimit të plastikës”.
Këta punëtorë punojnë në dy ndërrime. Kryeministri Kurti dhe ministri Murati e falënderuan z. Zekolli për mikpritjen dhe i dëshiruan suksese në të ardhmen duke u zotuar për mbështetje ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme