Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeministrja daneze paralajmëron për rritje të agresionit, pas sulmit ndaj saj

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha të martën se ende është duke e marrë veten fizikisht dhe mendërisht nga sulmi kundër saj në qendër të Kopenhagës javën e kaluar, si dhe paralajmëroi për rritje të veprimeve të dhunshme në publik.

Një burrë polak, 39 vjeç, është futur në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Frederiksenit, si rrjedhojë e të cilit ajo pësoi lëndime në qafë.

Sulmuesi ishte nën ndikimin e alkoolit dhe drogës në atë kohë, prandaj nuk ka ndonjë tregues për motive politike, thanë autoritetet.

“Ende nuk jam vetja. Unë kujdesem për punën time si kryeministre dhe gjithmonë do ta bëj. Isha në gjendje të punoja edhe në fundjavë, por jo në mënyrën e njëjtë si zakonisht”, tha Frederiksen në një intervistë për transmetuesin DR.

Sulmi ndaj saj ndodhi vetëm tri javë pasi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë në një tentim-vrasje.

Frederiksen tha se ka qenë dëshmitare e një ndryshimi në sferën publike në vitet e fundit.

“Ka pasur kërcënime për një kohë të gjatë, tone të vrazhda në rrjetet sociale, të cilat janë përkeqësuar, posaçërisht pas luftës në Lindjen e Mesme. Shumë britma në publik, ku njerëzit sillen në mënyrë shumë, shumë agresive”, tha ajo.

Danimarka renditet si njëra prej vendeve më të lumtura në botë, ku danezët krenohen me barazinë, gjithëpërfshirjen dhe modelin e mirëqenies së bollshme.

“Ne jemi krenar për vendin ku kryeministrja shkon në punë me biçikletë”, shtoi ajo.

“Por, një ndryshim ka ndodhur. Unë gjithmonë kam qenë në dispozicion, por skena në rrugë ka ndryshuar, sepse ka vende ku ne nuk mund të shkojmë më, së paku disa prej neve politikanëve”, theksoi ajo./rel