Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në konferencën për media, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës, foli për punën sfiduese dhe të ndjeshme për Prokurorinë e Kosovës, e cila tregon përkushtimin e Prokurorisë Speciale për drejtësinë, për krimet e luftës.
“Prokurorët tanë po punojnë me shumë përkushtim, përkundër sfidave që hasim në sigurinë e provave dhe dëshmive, përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme në identifikimin e kryesve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë.
Me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime të luftës përkundër vështirësive që na presin”, deklaroi Isufaj.
Ai me këtë rast i falënderoi prokurorët e Prokurorisë Speciale për punë e mirë që po e bëjnë, jo vetëm në rastet e krimeve të luftës, por të gjitha rasteve të tjera që janë në kompetencën e kësaj prokurorie.