Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryeshefi i “Radoniqit” arrestohet në Bullgari, zëdhënësja thotë se është në pushim vjetor

 
   

Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, nuk është paraqitur qe disa ditë në vendin e tij të punës.  Mediat kanë raportuar sot se i njëjti është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar i lëshuar ndaj tij nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

Media ka kontaktuar me zëdhënësen e KRU “Gjakova”, Dafina Syla-Dina, e cila ka thënë se Krasniqi është në pushim vjetor. Sipas saj, ai ka kaluar në pushim vjetor qe “5-6 ditë”, derisa tha se nuk ka informacione tjera për të.

“Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë.”, ka thënë Syla-Dina.

Sipas reporterit, arrestimi i Krasniqit ka ndodhur qysh me 19 shkurt 2024. Ai u kap nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi, ish-kandidati i LVV-së për asamblenë Komunale të Gjakovës rezultoi se kërkohet ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, me 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali.

Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.

Italia urdhër-arrestin ndaj Krasniqit e kishte lëshuar një muaj më herët, me 16 janar 2024.

Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asambleist.