Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka zhvilluar një takim me shefin e ri të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano.
Kryesuesi Maloku, falënderoi shefin e EULEX-it, Barbano, për vizitën e tij në Këshillin Prokurorial dhe e përgëzoi për mandatin e tij, duke theksuar së sistemi prokurorial është i përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me këtë mision për të garantuar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, bazuar në praktikat dhe standardet më të mira të BE-së.
Me këtë rast, shefi i EULEX-it, shprehu falënderimin e tij për pritjen e bërë dhe gatishmërinë e misionit që udhëheq për të ofruar edhe më tutje mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për sistemin prokurorial, në mënyrë që të ketë angazhim të përbashkët për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
“Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, është diskutuar që sistemi prokurorial i Kosovës duhet të qëndrojë i pacenuar ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje politike dhe ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër qoftë brenda apo jashtë sistemit prokurorial, në mënyrë që të realizojë si duhet misionin e tij të pavarur, të paanshëm dhe transparent në të gjitha angazhimet e tij dhe në përputhje me mandatin ligjor dhe kushtetues”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Në kuadër të këtij takimi, për shkak të rëndësisë së bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar, të dyja palët u pajtuan që të ecet më tutje në rrugën përpara dhe të ketë angazhim të shtuar për tejkalimin e sfidave për realizmin e misioneve të përcaktuara për rritjen e objektivave që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.