Kryesuesi i Radhës i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, do ta vizitojë Kosovën sot për të diskutuar rreth angazhimit të OSBE-së dhe për tu takuar me liderët politikë.
Gjatë vizitës së tij, Kryesuesi Borg do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz.
Ai gjithashtu do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takoj pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.
“Kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave. Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE. Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe”, njofton OSBE.