Për nder të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te varri i ish presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Tre udhëheqësit shtetërorë homazhet i vazhduan në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te Pllaka Përkujtimore për ushtarët e rënë të NATO-s.
Duke e vlerësuar 12 qershorin e vitit 1999 si ditën më të çmuar për popullin e Kosovës, kryetari Konjufca tha se çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor dhe bashkësisë ndërkombëtare.
“Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë. Një datë shumë e çmuar për popullin e Kosovës por po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar, sepse dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”, tha kryetari Konjufca.
Në adresimin e tij kreu i Kuvendit potencoi ndihmën e pakursyer të shteteve mike për çlirimin e vendit.
“Kjo ndodhi pikërisht sepse kauza jonë ishte shumë e drejtë. Krejt çfarë po kërkonim si popull ishte ta hiqnim okupimin serb shekullor nga Kosova”, theksoi kryetari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit tha se meritorë për lirinë e Kosovës janë dëshmorët dhe martirët që u flijuan, si dhe sakrifica e popullit për të arritur këtë ditë.
“Ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë”, tha kreu i Kuvendit.
Edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti Ditën e Çlirimit të Kosovës e vlerësuan si një ndër datat më të rëndësishme në historinë e popullit të Kosovës.