Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryetari i degës në Gjermani “shpërthen” ndaj deputetëve të LDK-së: Harruat dy asete të mëdha, jeni qyqe të gjalla!

Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani dhe ish-ushtari i luftës Osman Ferizi, ka hedhur akuza të rënda ndaj deputetëve të kësaj partie. Ai në një shkrim të dërguar në “Bota sot”, ka thënë se deputetët e LDK-së, nuk e përkrahën mërgatën në realizimin e projekteve të kujtesës historike, të cilët ata i realizuan qe dy dekada.

Sipas tij, deputetët e LDK-së u bënë vegla të Partisë Demokratike të Kosovës, duke dëmtuar interesin shtetëtor.

“Ata që nuk mësojnë nga historia, janë të dënuar ta përsëritin atë. W. Çurçil. Ne si mërgatë (veprimtarë të LDK-së dhe Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj”), realizuam gjatë viteve e mbi dy dekada projekte të karakterit humanitar e kulturor, monumente të kujtesës historike, ndërtime shtëpish të ish-luftëtarëve, shërime të invalidëve, të sëmurëve kronikë, ngritje shtatoresh e bustesh (të Presidentit I. Rugova në Malaj, heroit Sali Çekaj në Deçan, heroit kapiten Adem Ukëhaxhaj, heroit Rrustem Bruqi në Pejë, ekspozita në Muzeun e Kosovës dhe në disa qytete e shtete për Sali Çekajn), simpozium për Grupet e para për ish-luftëtarë e komandantë të dëshmuar, për Sanxhakun e harruar nga politika, për këta dhe disa të tjera përsonalitete ushtarake, veprimtarë politikë, të cilët u vranë tradhtisht gjatë dhe pas luftës.

Ju deputetë të LDK-së do të duhej jo vetëm të ishit të parët në mbështetje financiare, por do të duhej të ishit projektues dhe realizues përmes institucioneve të atyre projekteve dhe të ideimit të shumë projekteve të tjera, sepse LDK-ja ka udhëhequr me qeveri dhe ka qenë në bashkëqeverisje, ka pasur kryeministër, ministra (kulture, finance, të mbrojtjes, të brendshëm… ) por çaluat e mbyllët gojën, u bëtë vegla të nënshtruara të PDK-së, votuat dhe morët vendime që dëmtuan interesin shtetëror”, ka thënë Ferizi.

Ai më tej ka akuzuar deputetët e LDK-së, se çështjen e vrasjeve politike i shfrytëzuan vetëm për të mbledhur vota. Ferizi madje ka thënë se ata bënë pakt me “partitë banda që i vranë disa nga këta ish-eprorë, politikanë të nderuar”.

“Ju nuk e ngritët çështjen e zbardhjes së vrasjeve politike, atë e bënit vetëm në kohë fushate zgjedhore për votat tuaja, ju shpesh bëtë pakt me partitë banda që i vranë disa nga këta ish-eprorë, politikanë të nderuar. Pa kërkuar falje eksponentët e PAN-it e VV-së, SHIK për shantazhet, kërcënimet, vrasjet, puqin ndaj luftës e ndaj LDK-së nuk mund të ketë pajtim e bashkëpunim me ta! Ju deputetë të popullit, merrni vota për t’i shërbyer sovranit e jo për t’u krekosur me kravata e karaxhozllëk, në fushatat tuaja edhe qentë e rrugës i ledhatoni dhe investoni mijëra euro për ta fituar mandatin, jo që jeni edhe aq patriot, por politika të ne është mbi të gjitha biznesi më fitimprurës. Ju pavarësisht që paguheni majmë nga taksapaguesit, ju dorën në xhep përtoni ta shtini, mbase 98% nga ju asnjë projekt të lartshënuar nuk e keni mbështetur”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja po hesht edhe në kohën e tanishme, kur vendi po kalon nëpër procese delicate. Ai thotë se deputetët e LDK-së kanë rënë në kurthet e liderëve të “dështuar” si Isa Mustafa.

“Edhe në proceset delikate nëpër të cilat po kalon vendi, shumica jush po heshtni, dhe ligësive e tradhtive në ballë nuk po ju dilni! Reagimet e juaja janë më shumë sporadike se sa sistematike! Në vend që t’i ktheheni rugovizmit mirëfilli, ju keni rënë në kurthet e liderëve të dështuar si Isa e të tjerë, që në vend se të jeni në ballë të proceseve ju po mbeteni në bisht të tyre. Ju duhet të zgjoheni, si dikur LDK-ja me Rugovën, që tronditi jo vetëm Jugosllavinë e Serbinë gjenocidale, por ndërgjegjen perëndimore! Por, për ta bërë këtë, duhet të bashkoni njerëzit më të devotshëm të shqiptarisë e rugovizmit, e jo të keni frikë nga ata, dhe të provoni t’i mbani në distancë apo edhe t’i nëpërkëmbni, e t’ia lejoni poshtërimin që kundërshtarët e djeshëm e të sotëm mundohen t’ua bëjnë! Harruat ndarjet, humbjet e turpshme, LDK-së ka dy rrugë, o prerje cezariane o zgjedhje solomone, larg pazargjitë e përfiteret nga LDK-së”, është shprehur më tej Osman Ferizi.

Ai ka kërkuar nga partia, që t’u kthehet parimeve të saj emblematike.

“LDK-ja, duhet t’i kthehet parimeve të saj emblematike, rikthim në vlerat autentike, të patriotizmit, lirisë, demokracisë, humanizmit e barazisë! Mërgata në çdo periudhe të lëvizjeve kombëtare ka luajtur rol kyç, ju që jeni lakmitarë e injorantë e shihni si një dele, që duhet mbjellë (bankomat), sot brezat në mërgatë janë më të ditur dhe më të dinjitetshëm se ju, po të kishit pak logjikë do ju ofronit mundësi të barabarta në atë shtet, por jo se ndalet hajnia dhe ju zhveshin nga falsiteti i diplomave tuaja të blera”.

Megjithë shpresën se do të kishte reflektim pas humbjes së LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, një gjë e tillë, sipas Ferizit, nuk po ndodhë.

“Shpresuam që pas humbjes traumatike të 14.02.2021 do të ketë reflektim, përgjegjësi dhe reforma të thella… Por, ato nuk po i shohim, aklamacioni dhe lënia anash e votimit të fshehtë në këto Kuvende zgjedhore X është lajm i keq për demokracinë, pa debat e pa kundër kandidat, LDK-së po e kthen besimin te votuesit e fjetur, mos ndaloni vullnetin e lirë të aktivistëve, ata që kanë dinjitet dhe bindje Rugoviste e jo të zgjidhen delegatë servilë e të komanduar për interesa të klaneve, që një parti me traditë 33-vjeçare është absurde dhe e patolerueshme”.

Ai akuzon LDK-në se harruan dy asete të mëdha të kombit dhe të partisë.

“Harruat dy asete të mëdha të kombit e LDK-së, Presidentin historik Ibrahim Rugoven – shtetarin e madh dhe prijësin dhe themeluesin e Ushtrisë së Kosovës – heroin Sali Çekaj, përpos që i zëni në gojë në përvjetore a’sgjë nuk bëtë për ta, pse nuk bëtë Ligjë për Presidentin, pse nuk ka shtatore në Prishtinë heroi Sali Çekaj, edhe sa dekada duhet pritë, jeni qyqe të gjalla”.

Ai ka thënë se mërgata e mashtrua dhe injorua qe 23 vite dhe se ajo u përdor vetëm për vota.

“Vazhdoni ta dëgjoni dhe mos të distancoheni nga ish-kryetari Isa Mustafa që e shpallët “kryetar nderi”, i cili e turpëroi LDK-në, takoi edhe të akuzuarit për vrasje në Hagë, e ju heshtni si strucat. Këtë Mërgatë nuk do arrimi as ju e askush ta nënçmojë e ulë. Ju na i kontestuat zgjedhjet, nuk na latë në kuvend, sot në asnjë strukturë nuk përfaqësohemi, kemi bindje dhe ideale që askush nuk mund të na i nëpërkëmbë, mërgata u rrejt, injorua dhe u mashtrua për 23-vite nga të gjithë, u përdor vetëm për vota, as pas dy dekada nuk është zgjidhë çështja e mësimit plotësues, nuk kemi a’snji Qendër Kulturore, ende nuk kemi vend votime në shtetet ku jetojmë, jemi popull pa Zot e qiragji në vendin tonë. (Askush nuk është aq i pasur, sa ta blejë të kaluarën e tij)”, ka shtuar Osman Ferizi për “Bota sot”.