Një shqiponjë është masakruar në fshatin Bual në Përmet. Nuk dihen ende rrethanat apo autorët e kësaj mizorie, por në videon e siguruar nga Euronews Albania shihet shpendi i ‘kryqëzuar’ i gjallë në një gardh, në rrugët e fshatit.
Këmbët e saj janë të gjakosura, ndërsa shqiponja e kryqëzuar shikon personin që po e filmon këtë ngjarje.
Policia e Përmetit tha për Euronews Albania se pas publikimit të pamjeve ka nisur verifikime për gjetjen e autorëve.
Shpendi është marrë nga punonjësit e policisë dhe është dërguar për trajtim mjekësor të specializuar.
Disa organizata italiane për mbrojtjen e kafshëve janë interesuar për të kuruar shpendin e rrallë.
Ky nuk është rasti i parë kur kafshë të ndryshme keqtrajtohen në mënyrë çnjerëzor. Por rasti i Bualit në Përmet është dhe më i dhimbshëm, për shkak se keqtrajtohet shpendi që lidhet me identitetin kombëtar.