Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kthimi i shisheve do të ruante xhepin dhe ambientin

Tash e 14 vjet, Halil Avdiu, punëtor i ndërmarrjes publike komunale “Hortikultura”, mirëmban parkun e Lagjes Dardania në Prishtinë.

Në një mëngjes të shkurtit, ai kishte grumbulluar tre thasë me mbeturina – më shumë se gjysma e tyre mbetje plastike.

“Këto po e shëmtojnë bukurinë e parkut”, thotë ai, duke i treguar thasët e mbushur kryesisht me shishe plastike të ujit dhe lëngjeve, por edhe me kanaqe alumini.

“I hedhin edhe nga banesat lart, por edhe qytetarët që kalojnë apo qëndrojnë në park”, thotë 51-vjeçari.

Pamje si këto të parkut në Dardani mund të shihen edhe në parqe të tjera të kryeqytetit, apo edhe në rrugë e lagje.

Produktet e plastikës, sidomos, konsiderohen të dëmshme për mjedisin, sepse shndërrohen në mikroplastikë dhe jetojnë gjatë, duke kërcënuar kështu botën e egër dhe përhapur toksina.

Për t’i reduktuar sadopak ato, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës ka ndërmarrë disa hapa.

Nga shtatori i vitit 2022 i ka bërë me pagesë qeset e plastikës, ndërsa në shkurt ka publikuar thirrjen për themelimin e Administratorit për Sistemin e Rimbursimit të Depozitave, i cili do t’i marrë nën menaxhim mbeturinat e plastikës, qelqit dhe aluminit.

Kjo thirrje i paraprin fuqizimit të një udhëzimi administrativ për rikthimin e depozitave, që pritet të ndodhë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Si do të funksionojë udhëzimi administrativ?

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, thotë se konsumatorët që blejnë produkte në shishe të plastikës, të qelqit apo në kanaqe, pas përdorimit, do të mund ta kthejnë ambalazhin e tyre.

Në këmbim, ata do të marrin një shumë të caktuar parash.

Sipas Rakës, fillimisht është menduar që çmimi për të gjitha shishet dhe ambalazhet nga 250 mililitra deri në dy litra, të jetë pesë ose dhjetë centë.

“Depozita do t’i kthehet qytetarit pasi që ai t’i kthejë shishet në gjendje të kthyeshme”, thotë ai.

Raka shton si i takon prodhuesit, importuesit dhe shitësit me pakicë të sigurojë që depozita i shtohet çmimit të produktit të ambalazhuar në momentin e shitjes, ndërsa i kthehet konsumatorit pas kthimit të ambalazhit.

Për këtë qëllim, sipas tij, Kosova e ka mbështetjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian dhe Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Disa qytetarë të anketuar në Prishtinë thonë se mezi presin zbatimin e kësaj nisme.

Perihane Bunjaku thotë se do të përfitojë vetë materialisht në njërën anë dhe ambienti do të jetë më i pastër në anën tjetër.
“Le të riciklohen dhe të shfrytëzohen prapë”, thotë ajo.

“Përveç mjeteve financiare, e rëndësishme është edhe ruajtja e ambientit. Po ndoten natyra, uji, ajri… Mbeturinat po e mbysin gjelbërimin”, thotë edhe Merita Zymi.

Në disa vende të Bashkimit Evropian, ku Kosova mëton të anëtarësohet, aplikohen tashmë masa të ngjashme.

Në Gjermani, për shembull, me skemën e kthimit të depozitave, konsumatorët nxiten që t’i kthejnë shishet prej qelqi dhe plastike në dyqanet me pakicë, ku ato mblidhen dhe riciklohen.

Shisheve të pijeve me pakicë u shtohet një tarifë shtesë, të cilën konsumatori mund ta rikuperojë pasi ta kthejë shishen boshe.

Bashkimi Evropian, nga korriku i vitit 2021, ka fuqizuar direktivën që e ndalon plastikën për një përdorim, përfshirë këtu: pjatat, gotat, shkopinjtë për pirje dhe qeset.

Kjo plastikë, sipas vlerësimeve të BE-së, përbën rreth 70% të mbeturinave detare në Evropë.

Qëllimi përfundimtar i BE-së është që deri në vitin 2030, çdo plastikë e mbetur të jetë e ripërdorshme ose e riciklueshme.

Çka thonë ekspertët?

Sipas ekspertëve, riciklimi i mbeturinave të plastikës redukton mbetjet që groposen, zvogëlon ndotjen, ruan burimet natyrore e të tjera.

Lorik Muçaj, themelues dhe drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Green Art Center, thotë se vendosja e taksës mbi produktet me ambalazh plastike, qelqi ose alumini, është “lajmi më i mirë” për mbrojtjen e ambientit.

“Mbeturinat e plastikës krijojnë dëm jashtëzakonisht të madh, jo vetëm mjedisor, por edhe ekonomik”, thotë ai, duke aluduar në shpenzimet që bëhen për mbledhjen dhe groposjen e tyre.

Ai shpreh bindjen se kthimi i shisheve, do të krijojë një ambient më të pastër në Kosovë. Por, shton se për këtë nevojiten fushata vetëdijesuese si nga institucionet qeveritare, ashtu edhe nga operatorët privatë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në vitin 2022 sasia e mbeturinave të trajtuara dhe deponuara në Kosovë ka qenë mbi 521 mijë tonë. Prej tyre, 35 për qind kanë qenë mbeturina të plastikës.

Në Kosovë operojnë pesë deponi sanitare, që funksionojnë nën Kompaninë për Menaxhimin e Deponive.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka paralajmëruar në fund të janarit se “në përputhje me strategjinë e re të mbeturinave, që e ka për synim riciklimin, do të fillojë ndërtimi i qendrave të riciklimit nëpër të gjitha rajonet e Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se kur të do të fillojë ndërtimi i tyre.

Si është e rregulluar kjo çështje në rajon?

Në Maqedoni të Veriut, për shembull, Ministria së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka hartuar një rregullore për grumbullimin e shisheve të plastikës.

Për zbatimin e saj, ajo ka autorizuar kompaninë “Pakomak”, e cila në disa pika të Shkupit dhe qyteteve të tjera ka vendosur aparate, ku qytetarët mund t’i hedhin shishet e plastikës.

Atje ekziston po ashtu aplikacioni “Ecomak”, që mund të shkarkohet nga qytetarët dhe ta regjistrojnë hedhjen e shisheve.
Me atë rast, ata fitojnë “pikë të gjelbra”, varësisht mbetjeve të hedhura.

“Pikët e gjelbra”, pastaj, mund të shkëmbehen për përfitime të ndryshme, si: vauçer për zbritje në markete dhe objekte të tjera shitjeje, zbritje gjatë pagesës së shërbimeve publike, donacione etj.

Në Serbi, ndërkaq, ekziston një depozitë për shishe të qelqit, por vetëm për disa lloje të produkteve – kryesisht birra.

Kur konsumatori i kthen ato shishe të zbrazëta, mund të marrë shishe të mbushura pa ndonjë pagesë shtesë.

Kur bëhet fjalë për riciklimin e plastikës, në disa pika në Beograd ka disa aparate, ku qytetarët mund të hedhin ambalazhe plastike – shishe dhe gjëra të tjera – dhe të mbushin kartën e transportit me shuma simbolike.

E, mirëmbajtësi i parkut në Dardani të Prishtinës thotë se edhe sikur të mos ketë ndonjë përfitim material, hedhja e mbeturinave do të ishte mirë të bëhej në vende të caktuara dhe jo kudo.

“…sepse është mirë edhe për qytetarët, edhe për natyrën. Shikojeni parkun e pastruar sa bukur duket… Ejani nesër në mëngjes dhe shihni lloje të ndryshme të mbeturinave”, thotë Halil Avdiu, raporton Radio Evropa e Lirë.