Zhvillimi i procesit të vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, i nisur nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti qysh në fillim të mandatit të saj, vazhdon të jetë në fazën fillestare.
Procesi i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Në programin e saj katërvjeçar, Qeveria Kurti ka premtuar kompletimin e kornizës së nevojshme ligjore për realizmin e procesit të vetting-ut. Përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi kosovar e nisi në vitin 2021 – më 13 tetor, u miratua koncepti i dokumentit për vetting-un në drejtësi.
Këtij koncept-dokumenti i bëri një vlerësim edhe Komisioni i Venecias.
Organi këshillues i Këshillit të Evropës konstatoi së në kontekstin e Kosovës, një vetting efektiv do të kërkonte kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Komisioni fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori.
Pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, i cili i hap rrugën vetting-ut në drejtësi, ky proces nga institucionet e Kosovës u nis në dy drejtime: vetting-un për nivelet e larta, si dhe reformën ligjore – apo vetting-un e rregullt – për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.
Një komision ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, përfundoi hartimin e amendamenteve kushtetuese për vetting-un për nivelet e larta.
Vetting-u në Gjykatën Kushtetuese
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fillimin e marsit të sivjetmë i dërgoi amendamentet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën për të sqaruar nëse ndryshimet e propozuara ishin në përputhje me kapitullin 2 të Kushtetutës të Kosovës.
Ndonëse kanë kaluar mbi 5 muaj nga dërgimi i amendamenteve në Kushtetuese, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se nuk kanë asnjë njoftim nga Gjykata rreth shqyrtimit të tyre.
Por, në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, Gjykata Kushtetuese thotë se kërkesën është duke e shqyrtuar dhe se për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni.
Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kjo gjykatë duhet, në parim, të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh nga pranimi i kërkesës.
Vetting-u i rregullt në rrugë më të shpejtë
Sa i përket reformës ligjore për vetting të rregullt për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, nga Ministria e Drejtësisë thonë për REL-in se grupet punuese kanë dërguar në maj raportet finale dhe rekomandimet.
“Në fazën e dytë të këtij procesi, pritet të bëhen ndërhyrjet dhe ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e mekanizmave ekzistues për kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, forcimin e mekanizmave për deklarimin e pasurisë dhe atë të disiplinimit dhe veprime të tjera, të cilat rrjedhin nga zotimet e përbashkëta”, thotë Genc Nimani, këshilltar i lartë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, që nga viti 2015, rëndësinë e procesit të vetting-ut.
Drejtori ekzekutiv i organizatës, Ehat Miftaraj, thotë për REL-in se vetting-u është mundësi dhe rrugë e domosdoshme për të pastruar sistemin gjyqësor dhe prokurorin, nga zyrtarë që, siç pohon ai, “nuk e meritojnë të jenë pjesë e këtij sistemi, për shkak të mungesës së integritetit të tyre”.
Sipas tij, “përderisa vetë Qeveria ka pasur vonesa në adresimin e kësaj çështjeje, për arsye të keqplanifikimit dhe keqadministrimit, është lajm i mirë që më në fund amendamentet kushtetuese kanë shkuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.
Miftaraj vlerëson se “është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje brenda një afati të arsyeshëm kohor, duke marrë për bazë rëndësinë që ka ky proces për sundimin e ligjit në Kosovë”.
Kurti: Vetting-u është zgjidhja
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 9 gusht, kryeministri Kurti, derisa po fliste për sistem joefikas të drejtësisë, ritheksoi nevojën që procesi i vetting-ut të fillojë sa më parë.
Ai tha se reforma është domosdoshmëri, ndërsa vetting-u, sipas tij, është zgjidhja.
Kurti kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që t’i hapë sa më shpejt rrugë jetësimit të kësaj reforme.
“Koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, u shpreh kryeministri kosovar.
Duke iu referuar statistikave të gjyqësorit, sipas të cilave Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim 1.754 raste më 2022, shefi i ekzekutivit ka thënë se kjo e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngufat atë dhe e vonon drejtësinë.
Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./REL/