Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kufijtë e Kosovës “nervozojnë” sërish Serbinë, ambasadori amerikan bën me “dhimbje koke” Beogradin

“Epokës së artë”, ku Serbia dukej se ishte pozicionuar gjithë rehati si “e përkëdhelura” e Amerikës në Ballkan, duket se i ka ardhur fundi, me apo pa dëshirën e Beogradit. Shenjat e para u duk se u dhanë që me sanksionimin e Aleksandër Vulin, drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), nga Departamenti amerikan i Thesarit. Kjo u konsiderua nga shumë ekspertë të politikës së jashtme si “pika e kthesës”. Sakaq, së fundmi, SHBA i ka shkaktuar një tjetër “dhimbje koke” Beogradit, ku sigurisht “sebep” është bërë Kosova.

Deklaratat “hidh e prit” midis Drejtorit të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po trazojnë rajonin.  Sigurisht, nuk ka munguar “doza e ironisë” nga Prishtina, sidomos kur bëhet fjalë për Petkoviç.’

Deklaratat e Hovenier

Gjithçka nisi nga deklarata e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Jeff Hovenier se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik dhe se dihet saktësisht se ku janë kufijtë e saj. Kjo deklaratë se ka ngritur edhe më shumë tensionet në rajonin që ka harruar se çfarë është qetësia. Për zyrtarin amerikan, katër komunat serbe në veri të Kosovës janë pjesë e atij “shteti”, dhe Lista Serbe është parti opozitare në të si çdo tjetër.  “Për Amerikën, Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, dhe Lista Serbe është parti opozitare, si të gjitha partitë e tjera opozitare në Kosovë, të cilën ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, por parti të serbëve etnikë në Kosovë”, tha ai. 

Ambasadori amerikan në Kosovë tha se e ndiente të nevojshme të bënte disa sqarime, pas komente nga  Lista Serbe, lidhur me takimin me Gabriel Escobar në Uashington.

“E para është që SHBA-të e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik dhe që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, ne e kemi njohur atë si sovrane. Puna që bëjmë me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë”, tha Hovenier.

Ai po ashtu theksoi se nuk duhet të diskutohet për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është në vetvete shtet i pavarur. “Dhe këtu përfshihet edhe veriu i Kosovës, siç e kam thënë shumë herë. Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri. Është në veri të Mitrovicës. Ne dëshirojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë parti të serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta sqarojmë këtë”, tha Hovenier në ceremoninë e dorëzimit të 250 kamerave të trupit në policinë e Kosovës.