Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kulmi i valëve të nxehtit afrikan, temperatura mbi 40 gradë, parashikimi i motit për sot

Shqipëria

Dita e mërkurë, do të shënojë edhe kulmin e valëvë të nxehtit Afrikan në territorin Shqiptar duke ngjitur termometrin në mbi 40 gradë C. Përsa i përket kushteve atmosferike; mot i kthjellët dhe i nxehtë do të dominojë në të gjithë territorin e vendit. Orët e pasdites do të sjellin vranësira në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore duke rreikuar rrebeshe shiu afat-shkurtra. Pritet që vlera më të larta të shënohen përkatësisht në Qarqet: Elbasan, Berat dhe Gjirokastër ku termometri do të ngjitet deri në 40 apo 41 gradë C.

Temperaturat e ajrit mbeten të larta si në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 18°C deri në 41°C.

Era do të fryjë e lehtë me shpejtësi 28 km/h nga drejtimi Perëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Kosova

Masat ajrore të thata dhe të nxehta do të karakterizojnë kushtet e motit edhe në Republikën e Kosovës ku orët e paradites do të jenë me diell dhe temperatura shumë të larta. Ndersa gjatë pasdites. Pritet kalim i vranësirave të pakta në territor ku më të dukshme do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore. Parametri i Erës nuk do të jetë problematik Ndersa temperaturat e ajrit do të ngjiten deri në 35°C.

Maqedonia e Veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe i nxehtë gjatë gjithë- 24 orëshit, por orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të Republikës së Maqedonisë, por nuk priten reshje Parashikohet që mbrëmja dhe nata të largojnë gradualisht vranësirat duke ri-kthyer moti e kthjellët në të gjithë territorin e Maqedonise. Temperaturat e ajrit do të rriten ndjeshëm duke shënuar vlerën 40 gradë C në qytetin e Shkupit.

Europa

Nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, paraqitet pjesa më e madhe e kontinentit Europian ku moti i kthjellët dhe temperaturat e larta do të jenë dominante. Konkretisht në; Rajonin e Mesdheut, Gadishullin e Ballkanit si edhe Jugun e Italisë ku priten vlera mbi 40 gradë C, kjo si pasojë e valëve të nxehtit Afrikan. Ndersa zhvillimi i një qëndre ciklonare në Veri – Veriperëndim të Europës do të sjellë vranësira dhe shira intensivë ku herë pas here do të jenë në formë shtërngate përkatësisht në: gadishulli Skandinav, rajonin e Balltikut, ishujt Britanikë si edhe disa zona të izoluara në Alpet e Europës./abcnews.al