Bashkimi Evropian si organizator i takimeve Kosovë-Serbi në Bruksel ofron pamje të shkurta para nisjes së këtyre takimeve. Por, shumë pak detaje kanë dalë për publikun mbi atmosferën brenda takimit ku diskutojnë liderët e dy shteteve me raporte të tensionuara.
Për atë çka ka ndodh brenda është pyetur nga gazeta serbe “Danas” kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.
“Më thoni, publiku sigurisht është i interesuar për këtë, si duket dialogu në atë dhomë të Brukselit ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, kur kamerat janë të fikur? Kush thotë çfarë, kush kë fyen, si reagojnë përfaqësuesit e BE-së, çfarë hani dhe me çfarë freskoheni?”, ishte pyetja e gazetës.
Bislimi iu shmang detajeve, por tregoi se negociatat mes dy palëve janë të vështira.
“Të gjitha negociatat janë natyrshëm të vështira, por dialogu është mënyra e vetme se si mund t’i adresojmë çështjet me njëri-tjetrin. Për ne, në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme t’i japim prioritet të drejtave të të gjithë qytetarëve në demokracinë tonë multietnike dhe asnjëherë t’i instrumentalizojmë apo sakrifikojmë ato për rezultate politike. Ne synojmë një marrëveshje përfundimtare dhe nuk ka dyshim se çdo marrëveshje në fund do të konfirmojë se Kosova dhe Serbia janë vende të pavarura dhe se duhet të vendosin marrëdhënie normale dhe të mira. Kjo është e vetmja rrugë përpara dhe është në përputhje me aspiratat e të dyja vendeve për t’u anëtarësuar në BE. Detajet e tjera janë të një rëndësie dytësore”.
Bislimit iu bë edhe një pyetje për të cilën gjithmonë ka kureshtje opinioni.
“Kush fiton dhe kush humbet, në lidhje me Kosovën, kjo është një pyetje e përjetshme për të cilën ju keni të drejtë të përgjigjeni?”, pyeti Danas.
Zëvendëskryeministri nuk tha se njëra palë është fituese ekskluzive, por tha se qytetarët e rajonit do ta ndiejnë fitoren e zgjidhjes së konfliktit mes Kosovës e Serbisë njëherë e mirë.
“Zgjidhja e konfliktit dhe dialogu nuk ka të bëjë me fitimin e njërës palë dhe humbjen e palës tjetër. Ne të gjithë do të përfitojmë nga një normalizim i plotë, duke përfshirë rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Ne të gjithë humbasim nga mbajtja e armiqësive. Gatishmëria për t’u marrë me të kaluarën është një parakusht i domosdoshëm për çdo paqe dhe progres afatgjatë”, tha Bislimi.