Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kur Gjergj Kastrioti – Skenderbeu trokiti në portat e Bashkimit Evropian në Bruksel

Ishte fillimi i shtatorit 1968 — 55-vjetë më parë — kur diaspora anti-komuniste shqiptare nga Evropa Perëndimore dhe Amerika, ngriti përmendoren e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve dhe “Shpëtimtarit të Evropës”, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu në Bruksel të Belgjikës – kryeqytetin aktual të Bashkimit Evropian (BE). Ai vit, shënonte edhe 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf – Vetëm një vit më heret, në 1967, (tre institucionet ekzistuese evropiane të dala nga Traktati i Romës, nënshkruar në 1957 (Traktati i Romës, Komuniteti Ekonomik Evropian dhe Komuniteti Evropian për Energjinë Atomike) u bashkuan, zyrtarisht, në entin e quajtur Komuniteti Evropian. Ishte fillimi i Bashkimit Evropian, siç njihet sot, themeluar në bazë të Traktatit të Maastricht-it, të vitit 1992.

Ishte një rast i volitshëm historik dhe një përpjekje strategjike nga ana e diasporës anti-komuniste shqiptare në Belgjikë dhe të emigrantëve të ardhur edhe nga shumë vende të tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, për të pasqyruar para Evropës meritat dhe konributet e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, për shpëtimin e Evropës nga hordhitë osmane. Nuk mungonin as emigrantët nga Kosova shqiptare, për të kujtuar rëndësinë e asaj dite, jo vetëm për Kombin shqiptar por edhe për mbarë Evropën. Në Bruksel ishin mbledhur rreth 2500-veta, përfshir zyrtarë të lartë politikë dhe përfaqsues të enteve shtetërore belge, sipas përllogaritjeve në shtypin e emigracionit shqiptar të kohës, përfshir revistën prestigjoze “Shejzat” e Ernest Koliqit, e cila botonte një reportazh prej 5-6 faqesh kushtuar vendosjes së përemndores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel me 2 shtator, 1968.

Korrespondenti i saj nga Brukseli raportonte për atmosferën entuziaste dhe ndjenjat e fuqishme gëzimi dhe krenarie kombëtare të shqiptarëve jashtë Atdheut, të mbledhur pranë monumentit të Heroit të tyre kombëtar mu në kryeqendër të Evropës, në Bruksel. Sipas shtypit të kohës, ajo ditë karakterizohej nga një mot i kthjellët që i dha një shkëlqesim të këndshëm asaj ceremonie të përurimit të përmendores së Heroit të Shqiptarëve – ndoshta e para e këtij lloji në Evropën kontinentale deri atëherë, me përjashtim të përmendores së Kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Piazza Albania të Romës, që ishte ngritur dekada më heret.

Image
Statuja e Heroit të Kombit Shqiptar, Gjergj Kastriotit –Skenderbe, 1968 Me mbishkrimin në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe flamançe: “Gjergj Kastrioti – Skanderbeg, 1405-1468. Në Pesëqindvjetorin e vdekjes së Heroit Kombtar, Prijsit zamadh të Shqiptarëve, Mbrojtësit t’ Atdheut e të Qytetrimit Evropian, në shenjë mirënjohjeje, këtë përmendore, mërgata shqiqptare në botën e lirë, ia kushton, 17 Janar, 1968”.

Monumenti i Skënderbeut në Bruksel është ngritur në vitin 1968 me fondet e mbledhura nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe Amerikë. “Me vullnet të papërkulur dhe me zell të paprerë, kolonia shqiptare e Belgjikës ia doli, më në fund, qëllimit me ngreh midis Brukselit — një qytet ndër më të parët e Evropës – një përmendore të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Fatosi, që është emblemë e virtyteve të Kombit shqiptar, u nderua në mënyrë të veçantë nga Shqiptarët e Belgjikës…duke lartësuar emrin e Atdheut, sepse çdo kalimtar vendas a i huaj, duke kaluar aty afër, detyrohet t’i hedh një sy Mbrojtsit arbënuer të Qytetërimit perendimor…”, shkruante korrespondenti i revistës Shëjzat nga Brukseli.

Me këtë rast janë mbajtur fjalime nga përfaqsues të autoriteteve politike dhe fetare belge si edhe nga përfaqsues të emigracionit anti-komunist shqiptar në botën e lirë. Fjalimin kryesor në përurimin e përmendores së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Bruksel (1968) e mbajti Monsinjor Emile Dejardin, një mik i përkushtuar i shqiptarëve, pa dallim feje e krahine. Pas Luftës së II Botërore, Monsinjori belg kishte mësuar për fatin e keq dhe vuajtjet e shqiptarëve anti-komunistë të përhapur nepër kampet e refugjatëve anë e mbanë Evropës. Në vitin 1956, ai themeloi një program përmasash të mëdha për t’i rivendosur këta refugjatë në Belgjikë. Përveç strehimit, Monsinjor Dejardin ndihmoi mijëra refugjatë shqiptarë të pas luftës të siguronin punësim, edukim për fëmijtë e tyre dhe mbulimin e të gjitha nevojave të jetës në vendin e tyre të ri. Shqiptarët, pa dallim, si myslimanë ashtu dhe të krishterë e respektonin shumë Monsinjorin Dejardin për ndihmën dhe kujdesin që ai kishte treguar për ta.

Image

Përmendorja e Gjergj Kastriotit Skenderbe në një shesh të Brukselit – kryeqëndrës së Bashkimit Evropian (BE) – *  Fotot nga revista Shëjzat, 1968, 7-12

Monsinjori belg, jo vetëm që përkujdesej për mirëqenjen materiale të refugjatëve shqiptarë, por kleriku katolik belg ishte një mbështetës i fortë i identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të tyre. Nga shumë përpjekje të shumta të tija në këto fushë, një ndër ndihmat e mëdha ishte organizimi për të vendosur monumentin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Bruskel, në vitin 1968.

Ceremonia e ianugurimit të përmendores është shoqëruar me një program të pasur artistik, muzikor dhe folkloristik. Janë recituar vjersha patriotike dhe është shfaqur akti i parë i dramës, “Skenderbeu” i Etëhem Haxhiademit –Frank Shkreli: Në kuadër të 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit, kujtojmë Ethem Haxhiademin | Gazeta Telegraf – Ndërkaq, të pranishmit – shqiptarë dhe të huaj – kanë shijuar tingujt e këngëve kushtuar Skenderbeut e Bajram Currit, të grupit muzikor të ardhur enkas nga Kosova, të udhëhequr nga Qamili i Vogël, ndërsa janë kënaqur edhe me performancën e një orkestre belge.

Inaugurimi i përmendores së Gjergj Kastriotit -Skenderbe në Bruksel (1968) ka qenë një trokitje në portat e Evropës së asaj kohe — ishte një akt patriotik i emigrantve shqiptarë të shpërndarë nga komunizmi, anë e mbanë botës – kundërshtarë të regjimit komunist — për t’i treguar Evropës dhe botës se shqiptarët, megjithë regjimin e atëhershëm anti-perendimor në Tiranë – me vlerat e Gjergj Kastriotit Skenderbe, Kombi shqiptar, me të kaluarën e tij të lavdishme, është i denjë për një të ardhme më të mirë, si pjesë përbërse e pandarë e botës perëndimore demokratike euro-atlantike. Ky ishte edhe mesazhi që diaspora shqiptare anti-komuniste e vitit 1968 – pa dallime feje, krahine e ideologjie – megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht – me këtë rast ishte e bashkuar rreth Gjergj Kastriotit – Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar.

Image

Vizatim për një shtatore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe nga artisti shqiptar në mërgim Ibrahim Kodra

Prandaj, sot 55-vite më vonë, ia vlen të kujtojmë duke u bashkuar me një koment mirënjohjeje, siç ishte shprehur, me atë rast, Redaksia e revistës “Shëjzat” e Ernest Koliqit për të kujtuar dhe “përgëzuar me ndiesi të gjallë mirënjohjeje, Shqiptarët e Belgjikës, që arrijtën me ngreh midis Evropës një shenjë Shqiptarizmi, i cili u tregon të huajve qenjen tonë si komb dhe fisnikinë e vlerave tona shqiptare…vendosja e nji shtatorje bronxi kushtuar Skenderbeut… nga nji grup me fuqi të kufizueme të nji rrethi mërgimtarësh, që kishin humbur Atdheun dhe çdo gja tjetër në ‘të – ashtë nji mrekulli që dëshmon gjallninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit, të cilin as vargu ma dërmues i krajatave historike nuk arrijti t’a mposhti.”

Bashkimi dhe vëllazërimi kombëtar, mbi ndasitë dhe përçarjet e ndryshme politike, ideologjike dhe personale — ishte objektivi kryesor i Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Me vlerat e veta të besës, bashkimit e vëllazërimit, Gjergj Kastrioti vazhdon të trokas në portat e Evropës, në emër të shqiptarëve, mu aty në Bruksel, në kryqendrën e Evropës së bashkuar. Fatkeqsisht, fjalët e tija bien në veshë të shurdhër dhe portat e Evropës nuk po hapen për shqiptarët. Po, për shqiptarët sot, a është Skenderbeu simbol bashkimi, bese e vëllazërimi? Çka po ndodhë sot me “gjallëninë e palcit tonë etnik dhe përjetësinë e shqiptarizmit”?