Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kur Millan Radoiçiq fliste në gjuhën shqipe: “Jam zatet me të gjithë këta”

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që dje pranoi fajësinë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, kishte thënë disa vite më parë se ishte takuar me të gjithë pushtetarët e Qeverisë së Kosovës.

Në një intervistë për Klan Kosovën, ai kishte thënë në gjuhën shqipe se ka takuar të gjithë qeveritarët e Kosovës. Këtë deklaratë e kishte dhënë pas përplasjes mes ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me takimet e pretenduara të tyre me figurën famëkeqe të veriut.

Haradinaj, i cili ishte fotografuar në shoqërinë e Radoiçiqit në korrikun e vitit 2017, kishte akuzuar ish-presidentin Thaçi se edhe ai ishte takuar për “më shumë se një orë e gjysmë” me Radoiçiqin. Kishte thënë se ka qenë prezent edhe ai në takim.

Radoiçiq, në intervistën e tij, akuzonte politikanët shqiptarë për premtime të pambajtura ndaj serbëve të Kosovës.

“Kështu do të them unë. Jam takuar me të dytë. Kam takuar edhe të tjerë, dhe secili prej tyre u ka premtuar serbëve kulla e qytete që të jenë në anën e tyre dhe jo me të tjerët. Por, ne nuk mund të shkelemi mbi interesat jetësore të serbëve”, ka thënë ai.

Duke folur në gjuhën shqipe, ai thotë se ka takuar të gjithë qeveritarët.

“Krejt qita që i ke në pushtet me të gjithë jam zatet”, kishte thënë Radoiçiq.

Përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, Radoiçiq mori përsipër fajin për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit.

Të dielën e 24 shtatorit, rreth 80 terroristë serbë u futën në territorin e Kosovës, duke kërcuan seriozisht integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Nga sulmi terrorist mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa Policia e Kosovës u kundërpërgjigj me vrasjen e tre terroristëve serbë.

Tetë të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist u arrestuan, ndërkaq Policia e Kosovës ka sekuestruar armatim në vlerë prej 5 milionë eurove.

Sulmin e së dielës e ka dënuar i gjithë komuniteti ndërkombëtar, ndërkaq BE-ja e ka quajtur sulm terrorist.

Milan Radoiçiq, Radulla Steviç, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq ishin sanksionuar në vitin 2021 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Paparaci.com