Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, eksperti i sigurisë reagon rreth tifozëve serbë e kryeministrit

Tifo-grupi “Delije” kanë paraqitur një tank si koreografi, ndërsa e kanë shoqëruar me një shkrim ku thuhet: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

E pas këtyre thirrje ka reaguar eurodeputeti austriak Lukas Mandl ku në një postim në Twitter, ku ka etiketuar shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak i pyet nëse janë në dijeni se çfarë po ndodh.

“Ju ende dëshironi të sanksiononi? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, MiroslavLajcak a e shihni se çfarë po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në uljen e tensionit, pajtimin, paqen. Të gjithë. Të gjithë ne. BE, Kosovë…”, shkruan Mandl.

Ndaj mesazhit kërcënues ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Kurti ka thënë se kjo metodë e tifozëve të këtij ekipi nuk është e re, pasi që sipas tij edhe në të kaluarën të udhëhequr nga krimineli i luftës Arkan, ishin revoltuar kundër Kroacisë.

“Në vitin 1990, tifozët e klubit serb të futbollit Crvena Zvezda, të udhëhequr nga mafiozi serb i paditur nga ICTY, Arkan, u revoltuan kundër Kroacisë. Për disa, kjo ishte një shkëndijë e luftërave që pasuan. Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas zv.kryeministrit kjo u bë në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilit, siç thotë Bislimi, tifozët e njohur si “Delije” shpesh pëçojnë mesazhet që kreu i shtetit serb “nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.

“E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiq ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën”, shkroi Bislimi në profilin e tij në Twitter.

Eksperti i sigurisë, Dirzan Shala thotë se kryeministri i vendit nuk duhet të merret me një ndeshje futbolli.

Sipas tij, dialogu ka kaluar nga kornizat e vendosura më herët, duke mos biseduar më për marrëveshje finale, por për gjetjen e zgjidhjeve për krizën e krijuar.

 Image Drizan Shala 

“Kryeministri i Kosovës duke parë që nuk di të qeverisë me politika progresive ka zgjedhur një rrugë të gabuar, pa pasur strategji se si të ndërtojë bashkërendim dhe bashkëpunim me partnerët e brendshëm, por edhe të jashtëm të Kosovës. z.Kurti në formatin aktual po dëshmon që marria e tij më një mbishkrim të një ndeshje futbolli tregon e dëshmon faktin që nuk i përketë kjo në domenin e tij me që nuk është President i UEFA/FIFA për të marrë veprime adekuate penale ndaj ekipës së futbollit. Në anën tjetër dialogu ka kaluar nga kornizat të vendosur më herët, duke shkatërruar gjithë procesin me pozicionime të gabuara në hapa, duke mos biseduar më për marrëveshjen finale në formatin njohje, por për gjetjen e zgjedhjeve së krizës së krijuar nga ky qëndrim”, deklaron Shala.