Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurtaj: Shukri Buja nuk më tha se ka urdhër të Shtabit të UÇK-së për emërimin e Agim Bajramit si komandant të Njësisë së Kaçanikut

 
   

Në seancën e së mërkurës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj deklaroi se nuk ka parë urdhër të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për emërimin e Agim Bajramit si komandant të Njësisë së Kaçanikut.

Nuk e kam parë asnjë urdhër të Shtabit të UÇK-së për këtë emërim. Edhe Shukri Buja nuk më ka thënë, por më ka thënë se e kam caktuar Agim Bajramin komandat të Njësitit. Këto janë që unë i kam rregulluar ashtu siç kam pas dëshirë me qenë”, tha dëshmitari.

Këtë deklaratë, dëshmitari e tha pasi prokurori James Pace e lexoi një citat nga libri i tij.

“Me urdhër të Shtabit të UÇK-së, Shukri Buja u kthye në Kaçanik dhe njoftoi për të emëruar Agim Bajramin komandat të Njësisë së Kaçanikut”, ishte citati i lexuar nga prokurori Pace.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka pranuar si prova materiale disa faqe të librit të dëshmitarit Hajrush Kurtaj.

Më herët, Kurtaj deklaroi se askush nuk i ka thënë ndonjëherë se libri i tij ka gabime.

Këtë deklarim, Kurtaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth asaj se a i ka thënë dikush se libri i tij ka gabime, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e prokurorit James Pace se në një deklaratë të dhënë në shkurt të vitit 2020 pasi ishte pyetur se a ka përfshirë të pavërteta në libër, Kurtaj tha se nuk është i sigurt nëse kishte thënë se nuk ka përfshirë të pavërteta.

Dëshmitari është pyetur edhe për Policinë Ushtarake që ka vepruar brenda Brigadës 162.

Ai tha se përgjegjës i Policisë Ushtarake ka qenë Xhabir Elezi, i cili, sipas tij, nuk ka marrë urdhër nga ai (dëshmitari), por nga Komandanti i Brigadës.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës së sotme në dëshminë e dëshmitarit.

Ndryshe, këtë dëshmitar edhe sot po vazhdon ta marrë në pyetje prokurori James Pace.