Gjatë qëndrimit në Gjermani, kryeministri Kurti ka pasur takime vlefshme me miq dhe partnerët ndërkombëtar të vendit tonë, ku kryefjala e vizitës ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën ka bërë thirrje për mbështetje të mëtejme nga aleatët tanë gjermanë.
Kurti, përmes rrjetit social ‘Facebook’, ka bërë të ditur takimet me sërë personalitetesh të politikës së Bunbdestagut gjerman, si ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, ministrin për Ushqim dhe Bujqësi, Cem Oezdemir, bashkëdrejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, e dhjetëra deputetë të Parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër (Grune) dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP), të cilët i falënderoj për takimet e përzemërta, mikpritjen e tyre dhe mbështetjen e qëndrueshme ndaj Kosovës.
“Morëm pjesë në ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së në shënimin e 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës dhe në bashkëbisedimin e organizuar nga Fondacioni Bertelsmann, ku në mesin e të pranishmëve ishin drejtuesi i Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtorja ekzekutive e fondacionit, Daniela Schwarzer”, ka shkruar Kurti.
Kurti, në përvjetorin e Këshillit të Evropës, ku mbush 75 vjet nga themelimi i saj, vlerëson se ajo duhet të zgjerohet me Kosovën, sikundër u shpreh ai, si anëtare të 47-të, ngase, shtoi ai, duam të kontribuojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate.
“Anëtarësimi ynë, përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane”, vuri në dukje Kurti.
Tutje, ai tha se regjimet autoritare e jodemokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Kosova po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë, që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.
“Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka shkruar në fund kryeministri Kurti.