Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se pret që pesë vendet mosnjohëse, anëtare të Bashkimit Evropian, të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe t’i bashkohen shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në Forumin Strategjik të Bledit, Kurti ka thënë se atmosfera me këto vende është më e mirë se që ka qenë më parë.
“Janë disa hapa të vegjël konkretë dhe shpresojmë që ata të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe në këtë mënyrë t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së që na njohin. 22 nga 27 vende na njohin në BE, 26 nga 30 në NATO dhe 34 nga 36 në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Kosova është në krye të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, lirive politike dhe të drejtave civile dhe pret që të ketë më shumë bashkëpunim e t’i bashkohet BE-së jo vetëm për të përfituar prej saj, por edhe për të kontribuuar.
Kryeministri i Kosovës më tej ka konsideruar se është e rëndësishme të ketë njohje reciproke brenda Ballkanit Perëndimor.
“Ajo që unë e konsideroj të rëndësishme për rajonin tonë është që me këto njohje, njohje reciproke të mbarojmë të 6 vendet e BB-së si rajon, sepse njohjet de-facto dhe de-jure janë të ndara në Ballkan. Dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në të gjithë rajonin. Mendoj se brenda pak vitesh ne mund të bëhemi anëtarë të BE-së”, është shprehur ai.
Teksa është pyetur për situatën në veri, Kurti ka treguar se tash e dy muaj nuk ka protesta të dhunshme dhe është ulur dy herë për nga 25 për qind prania e Policisë së Kosovës.
“Ne kemi nevojë për deeskalim, kemi nevojë për zbutjen e tensioneve dhe tash e dy muaj që në komunat veriore të Kosovës nuk ka protesta dhe incidente të dhunshme, ne kemi ulur dy herë npër 25 për qind numrin e Policisë së Kosovës në këto ndërtesa komunale dhe mezi pres të kemi zgjedhje të parakohshme në komunat veriore dhe shpresoj se do të kemi një fushatë të drejtë dhe të hapur për zgjedhje të lira dhe demokratike, kemi nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare por në anën tjetër besoj se njerëzit në Kosovë e kanë kuptuar se ata që integrohen jetojnë më mirë”, ka thënë ai.