Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule te varrezat e qytetit të Gjakovës, për nder të 25-vjetorit të rënies së dëshmorëve, Elton Zherka dhe Përmet Vula.
Kurti tha se dëshmorët e kanë datën e rënies së tyre heroike “që nuk është thjesht ditë e vdekjes, por është ditë e ndërrimit të jetës që i dha jetë e liri popullit tonë”.
Pas nderimeve, Kurti tha se Përmeti dhe Eltoni vijnë nga familjet patriotike me edukatë të kamotshme qytetare.
“Eltoni edhe Përmeti kanë rënë në betejën e Junikut në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë së bashku me Bekim Berishën dhe me Bedri Shalën. Janë patriotë të paepur të cilët më këto lule të freskëta që vendosëm pranë varreve të tyre do të na inspirojnë, e do të na frymëzojnë përjetësisht, pra dëshmorët e kanë datën e rënies së tyre heroike që nuk është thjesht ditë e vdekjes por është ditë e ndërrimit të jetës që i dha jetë e liri popullit tone, po njëkohësisht edhe na e përkujton jo në çdo përvjetor por çdo ditë se sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë për çlirimin që u bë, e për lirinë që e gëzon”, tha Kurti.