Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të dënojë Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Kurti nënvizoi se çështja me e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën dhe ndëshkimi për Serbinë.
Derisa foli të martën në tryezën e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) për Procesin e Berlinit, Kurti tha se Serbia nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal dhe as anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa planifikon aneksimin e territorit të Kosovës.
Ai bëri të ditur se nga informatat e para preliminare, shumica e sulmueseve të përfshirë në sulmin terrorist në veri janë pjesëtarë të organizatave “Mbrojta Civile” apo “Brigada Veriore”, të cilat janë shpallur terroriste nga qeveria më 29 qershor të këtij viti.
Kurti: Serbia duhet të ndëshkohet për sulmin terrorist, sulmuesit ishin anëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”
“Çështja më e rëndësishme dhe urgjente sot është siguria për Kosovën e sulmuar dhe ndëshkimi për sulmuesit. Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton, ndëshkimin e Serbisë e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht dhe zyrtarisht atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit. Por të njëjtën kohë edhe ekstradimi dhe dorëzimi i të gjithë atyre që janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe shteti ynë. Gjithashtu më lejoni të iu përkujtoj se me 29 qershor ne kemi shpallur dy organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën Veriore” të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në territorin e Kosovës në mënyrë ilegale dhe klandestine. Nëse diçka tregojnë informatat preliminare është se shumica dërrmuese e atyre të përfshirëve në këtë sulm terrorist dhe kriminal që rezultoi me vrasjen e rreshterit policor Afrim Bunjaku është se ata ishin pjesëtarë ose të “Mbrojtjes Civile” ose të “Brigadës Veriore” apo të dyja këtyre”, tha ai.
Sipas tij, pas sulmit terrorist në veri në asnjë forum apo samit ndërkombëtar nuk duhet të vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur, por duhet të dënohet dhe ndëshkohet sjellja e Serbia.
Kurti: Derisa dialogonim për të ardhmen, Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë
“Pas sulmit terrorist të Serbisë kundër Kosovës, por edhe marrëdhënies të tyre të hapur dhe bashkëpunimit gjithnjë më të ngushtë me Rusinë tregon se mungesa e bashkëpunimit rajonal është për shkak të dallimeve të vrazhda në orientimin strategjik. Derisa unë kam qenë në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe në samitet e Procesit të Berlinit për të lidhur marrëveshjet për të ardhmen, siç kemi parë para një jave Serbia po punonte në plane ushtarake për aneksimin e territorit tonë. Kjo tregon që fqinji jonë në veri nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal, për anëtarësim në BE. Por, në vend të kësaj ka orientime alternative gjeopolitike të cilat janë në frymën e ambicieve hegjemonike ndaj fqinjëve. Është me rëndësi që pas sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës të mos vazhdon se asgjë nuk ka ndodhur. Duhet të ketë pasoja për këtë sjellje dhe të gjithë autorët duhet të mbahen llogaridhënës për frymëzimin, përgatitjen dhe pjesëmarrjen në këtë sulm terrorist”, tha Kurti.
Dy javë para samitit të radhës të Procesit të Berlinit që pritet të mbahet në Tiranë, Kurti tha se bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe reciprocitetit të palëve.
Ai përmendi edhe tri marrëveshjet e vitit të kaluar të Procesit të Berlinit të cilat Kosova i ka miratuar, derisa tha se Bosnje Hercegovina nuk ka miratuar marrëveshjen për liri të lëvizjes me karta të identitetit.
Kurti: Bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe reciprocitetit të palëve
“Qeveria jonë ka një qëndrim të qartë për bashkëpunimin rajonal. Ne besojmë që bashkëpunimi i tillë duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe reciprocitetit të palëve. Duhet të bazohet në rregullat, vlerat dhe standardet e BE-së që do t’i mundësonte rajonit të lëvizë më shpejtë në Bashkimin Evropian. Bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por është një proces komplementar për anëtarësim të plotë. Kjo është sesi Kosova e sheh këtë dhe angazhohet në këtë drejtim…Trembëdhjetë ditë para Samitit të Tiranës duhet të vëmë re se jo të gjitha vendet i kanë ratifikuar këto marrëveshje dhe është për keqardhje që Bosnje Hercegovina është përcaktuar që të miratojë vetëm dy nga tre marrëveshjet, që nuk përfshinë marrëveshjen për liri të lëvizjes me letërnjoftime”, tha Kurti.
Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor. Vitin e kaluar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar tri marrëveshje, ku përfshihet liria e lëvizjes në rajon, njohja e kualifikimit të arsimit të lartë në rajon si dhe njohja e kualifikime profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.