Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qeset e plastikes dhe me vete nëpër dyqane të marrin torba.
Pas vizitës në terren në disa dyqane në qendër të Prishtinës , bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është ritheksuar nevoja e të pasurit mjedis të pastër, me ç’rast apeli i tyre ishte zvogëlimi i përdorimit të qeseve të plastikes.
Kurti derisa ka falënderuar pronarët e dyqaneve për bashkëpunimin, tha se kjo kontribuon në një mjedis më të pastër.
Kurti: Ftojmë qytetarët që kur të blejnë në vetëshërbim, me vete t’i marrin torbat
“Shumë qese të panevojshme plastike janë shndërruar në mbeturina që në mënyrë masive kanë ndotur ambientin. Prandaj, shpresoj në bashkëpunimin e juaj me këtë udhëzim të ri administrativ, me këtë fushatë t’i themi jo qeseve të plastikes…I falënderojmë shumë për bashkëpunimin pronaret dhe menaxherët e dyqaneve, që ta zbatojnë me pikmëri Udhëzimin administrativ dhe ftojmë qytetarët që kur të shkojnë ne dyqane të blejnë në vetëshërbim, me vete t’i marrin torbat”, tha Kurti.
Ndërsa, i pyetur pse disa dyqane vazhdojnë të shesin qese me logo, Kurti tha se logot përdorën për qeset mbi 50 mikron.
Kurti: Logot përdorën vetëm për ato të cilat janë mbi 50 mikron
“Prej 25 deri 50 mikron qeset e plastikes nuk do të kenë logo, do të kushtojnë pesë cent, 2 cent shkojnë në buxhet të shtetit, përjashtim bëjnë këto qeset prej 0 deri 25 mikron, sepse nuk kanë as vjegëza as doreza dhe përdoren për fruta e perime, dhe për gjerat higjienike, ndërkaq logot përdorën vetëm për ato të cilat janë mbi 50 mikron”, shtoi Kurti.
Një muaj nga hyrja në fuqi e udhëzimit administrativ për qeset e plastikës, qytetarët tashmë kanë filluar të paguajnë nga 5 deri në 10 cent për një qese. Derisa ekspertët e mjedisit dhe disa qytetarë, e kanë mirëpritur këtë vendim, një pjesë e këtyre të fundit, thonë se në Kosovë ende nuk janë kushtet e jetesës sa për të paguar qese.