Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar. Me këtë marrëveshje do të sigurohet ruajtja e informatave me interes shtetëror, komunikimi i shpejtë dhe pa pengesa me partnerët si dhe avancimi profesional i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“Sot së bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë, do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedojnë certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon. Marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuar”, ka deklaruar Kurti gjatë takimit, raporton RTKlive.
Tutje, Kurti ka thënë se Qeveria nëpërmjet sigurisë garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyesi i qeverisjes së përgjegjshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”, ka thënë Kurti.
Kryeministri më tej ka thënë se zbulimi i informacioneve shtetërore rreth fushave si siguria, mbrojtja, tregtia, industria, teknologjia apo punët e jashtme mbrohet me ligj.
Ambasadori Jeff Hovenier gjatë takimit theksoi se me këtë marrëveshje SHBA për Kosovën ka marrë detyrimin për mbrojtjen dhe shkëmbimin e informatave të klasifikuara.
“Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, deklaroi Hovenier.
Ambasadori amerikan tutje tha se qëndrojnë të palëkundur për respektimin e sovranitetit të Kosovës. Ai tha se synim të përbashkët me Qeverinë kanë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, specifikisht në organet e sigurisë.
“Kjo marrëveshje gjithashtu avancon qëllimin tonë të përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të FSK-së në forcë të mbrojtjes territoriale, profesionale. Sot gjithashtu shënojmë ditën kombëtare të Ukrainës, kjo marrëveshje është gjithashtu e përshtatshme në kontekstin më të gjerë të luftës brutale të Putinit ndaj Ukrainës”, ka deklaruar ai.