Një javë pas darkës së përbashkët në Athinë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, këtë herë në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me homologun bullgar, Nikolai Denkov.
Në takimin e parë dy palësh të tyre, Kurti e falënderoi Denkov për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës që nga vitit 1999 e tutje, të gjitha fazat e shtetndërtimit, dhe përkrahjen në anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare.
Kurti foli për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe optimizimin e potencialit të bashkëpunimit sidomos në fushën e ekonomisë.
Përgjatë takimit, Kurti gjithashtu e ftoi atë për vizitë në Kosovë në një të ardhme të afërt.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu-Hyseni dhe këshilltari politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj.