Kryeministri Albin Kurti dhe Kryediplomatja Donika Gërvalla kanë udhëtuar dje për në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Konferenca nis sot dhe zgjat tri ditë dhe në të marrin pjesë presidentë, kryeministra, eurodeputetë e deputetë nga shtete të ndryshme.
Në njoftimin që ka lëshuar MPJ, thuhet se përveç pjesëmarrjes në panele diskutimi, Gërvalla do të mbajë takime bilaterale me homologë nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, eurodeputetë, deputetë nga shtete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe mediave.
“Konferenca e Mynihit, si një prej ngjarjeve më të mëdha rreth sigurisë për rendin global, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit, është një mundësi e mirë për të paraqitur qëndrimet, për të diskutuar sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë si dhe koordinimin me shtetet aleate në ruajtjen dhe promovimin e sigurisë në rajon, Evropë dhe botë”, thuhet tutje në njoftim.