Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Varshavë të Polonisë, ku së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po marrin pjesë në Forumin e Varshavës për Sigurisë 2024 (WSF 2024).
Ai sot tha se ditën e dytë të forumit e nisën me një takim me homologun estonez të Maqedoncit, me të cilin tha se kanë folur për sigurinë, ndërsa mbështetjen e Estonisë për Kosovën e cilësoi jetike.
“Me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci e nisëm ditën tonë të dytë në Forumin e Varshavës për Siguri (WSF) me një takim produktiv dhe gjithëpërfshirës me Ministrin e Mbrojtjes të Estonisë, Hanno Pevkur. Së bashku, ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin. Mbështetja e Estonisë është jetike derisa ne forcojmë aftësitë mbrojtëse të Kosovës dhe kontribuojmë në stabilitetin rajonal”, ka shkruar Kurti në X.
Në kuadër të sesioneve të këtij forumi, Kurti dje tha se “siguria rajonale në Europë është siguri kolektive për Europën”.
“Ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën. Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë dje Kurti.
Ai foli për rëndësinë e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, integrimin e Kosovës dhe rritjen e bashkëpunimit, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse.
“Në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion. Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviqit në vitet e 90-ta kreu gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas”.