Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim lamtumirës Drejtorin e Fondacionit Friedrich-Ebert-Stiftung për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, René Schlee, i cili tani do të drejtojë zyrën rajonale të këtij Fondacioni për Evropën Juglindore.
Gjatë bashkëbisedimit në këtë takim lamtumirës, Kryeministri Kurti e falënderoi Schlee për punën, angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin. Në qendër të bashkëpunimit ishin çështjet dhe politikat që kanë të bëjnë me të drejtat e grave dhe të rinjve, barazinë sociale, bashkëjetesën ndëretnike, mjedisin, përfshirë edhe puna e përbashkët në kuadër të Fondit Sovran.
Drejtori i Fondacionit, René Schlee u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin që ka pasur, duke theksuar se edhe në pozitën e tij të re do ta ndjekë temën e përbashkët për forcimin e demokracisë sociale dhe forcimin e shkëmbimit ndërmjet socialdemokratëve.
Në përmbyllje të takimit, kryeministri i uroi z. Schlee suksese në pozitën e tij të re.