Kryeministri Albin Kurti në një panel në Forumin e Paqes në Paris ku po merr pjesë ka folur sërish për idenë e ndryshimit të kufijve.
Ai thotë ndonëse si plan ka dështuar, si ide ende është gjallë te udhëheqësit e Serbisë, raporton Gazeta Express.
“Beogradi ka qenë jo fort i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e ka shkaktuar. Tani jetojmë në një epokë ku ky projekti i këmbimeve të tokave dhe territoreve ka dështuar, por besoj që ideja ende s’ka vdekur. Dhe e shoh shumë shpesh kudo që takohem dhe dëgjoj presidentin e Serbisë që flet publikisht apo angazhohet në diskutime në dialog në Bruksel sepse kjo fantazia mund të mos jetë reale në kuptimin e realitetit faktik, por që e kushtëzon të menduarit, sjelljen apo veprimtarinë e palëve. Njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës e këmbimin e ndryshimin e kufijve është shumë e vështirë për ta që të braktisin këtë nostalgji e trishtim dhe të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike e europiane”, ka thënë Kurti.
Ai këtu ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi si përkrahës të kësaj ideje, derisa e ka quajtur edhe lider autoritar.
“Ka pasë homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë, korrigjim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si familjet e tyre dhe shtetet si prona private”.