Kryeministri Albin Kurti ka shpërndarë një fotografi në rrjetin social Facebook të Sheremet Sejdiu nga fshati Qirez i Skenderajt derisa qëndronte i ulur pranë trupave të katër djemve të tij të vrarë 26-vjet më parë.
Ai ka thënë se kjo fotografi që është realizuar nga fotoreporteri Hazir Reka ka mbetur e fiksuar në kujtesën e gjeneratave të kohës dhe do të mbetet edhe më e fiskuar në historinë e Kosovës.
“Ky burrë me plis në kokë është Sheremet Sejdiu nga fshati Qirez i Skenderajt! Këtu, ai është fotografuar nga fotoreporteri Hazir Reka 26 vite më parë, teksa rri i ulur mes trupave të katër bijve të tij të vrarë nga policët e Serbisë. Beqir Sejdiu, më i madhi prej tyre, i lindur më 2 maj 1962. Vëllezërit binjakë 24 vjeçarë, Nazmiu dhe Bedriu, të lindur më 7 janar 1974. Si dhe më i riu ndër vëllezër, Bekim Sejdiu që kishte lindur më 28 mars 1975″.
” I vetmi problem i tyre me policinë ishte që ishin shqiptarë dhe që nuk kishin denjuar t’u përgjigjeshin ftesave të strukturave kriminale të sigurimit të Serbisë, që qysh më 1996 ia kishin kërkuar djemtë bacit Sheremet. Kjo fotografi ka mbetur e fiksuar në kujtesën e gjeneratave të kohës dhe do të mbetet edhe më e fiskuar në historinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ndër tjera Kurti shtoi: “Beqir, Nazmi, Bedri dhe Bekim Sejdiu ishin ndër 20 civilë të parmatosur që u vranë më 28 shkurt 1998, nga policia e shtetit të Serbisë në fshatrat Likoshan dhe Qirez. Kjo ishte masakra e parë mes shumë të tjerash që do t’i kryente Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, nga shkurti i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Atë ditë, në luftime mes policëve serbë dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë edhe katër dëshmorë, kurse nga trupat serbe mbetën të vrarë 18 policë”.