Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti godet gjyqësorin për arratisjen e Enver Sekiraqës: Dështim, reforma në drejtësi urgjencë kombëtare

Kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë, duke folur lidhur me arratisjen e Enver Sekiraqës, i cili javën e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e policit kosovar, Triumf Rizaj.

Kurti e ka quajtur këtë dështim të sistemit gjyqësor, derisa për Sekiraqën ka thënë se është një prej personave më famëkeq nga bota e krimit.

“Në fundjavën që po e lëmë pas kuptuam që një prej personave më famëkeq nga bota e krimit i cili javën e kaluar u dënua pëfundimisht nga gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Trium Rizajt, policit të Kosovës, është arratisur. Të gjitha ata që e kanë njohur Triumfin, e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pashoq, të shkathtë në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më rastësi”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se reforma në drejtësi, është urgjencë kombëtare.

“Vrasësit e policëve në liri, janë kulmi i padrejtësisë. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë institucionale, urgjencë shtetërore, urgjencë kombëtare”, ka shtuar ai.

Ndryshe, arratisjen e Sekiraqës e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë.

Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi”, kanë deklaruar nga Policia.